Home Ekonomi, Biznes dhe Finance Zhang: E rëndësishme ruajtja e ritmit të reformave

Zhang: E rëndësishme ruajtja e ritmit të reformave

6 min read
0
29

TIRANE, 13 Shkurt/ATSH/- Pas takimit me ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj zëvendësdrejtori ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Tao Zhang, u takua me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Zyrtari i lartë i FMN-së, Zhang vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj të cilat tha ai, kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri.

Zhang u shpreh se Shqipëria po bën përparim në drejtim të konvergjencës, megjithatë ai shtoi se duke qenë se ekonomia globale po rritet me ritme pozitive, është koha e duhur për Shqipërinë të vazhdojë të ndërmarrë reforma të mëtejshme.

Duke u ndalur në aktivitetin ekonomik të vendit, zyrtari i lartë i FMN-së, theksoi se ruajtja e ritmit të reformave, forcimi i institucioneve dhe i mirëqeverisjes kanë rëndësi të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Sejko vlerësoi marrëdhëniet mjaft të mira të bashkëpunimit me FMN-në, e cila nëpërmjet ofrimit të asistencës teknike ka ndihmuar në hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit.

Guvernatori Sejko u shpreh se vëmendja e Bankës së Shqipërisë ka qenë e fokusuar në objektivin e saj kryesor, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ai shtoi se Banka e Shqipërisë nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj si autoritet monetar, ka kontribuar në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sistemi karakterizohet nga tregues të qëndrueshëm financiarë.

Disa nga çështjet në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm dhe reduktimi i kredive me probleme, raporti i të cilave në muajin dhjetor shënoi vlerën 13.2%.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës makroekonomike, ku theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim.

Pavarësisht progresit, tha Sejko, autoritetet vendase mbeten të angazhuara të japin kontributin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, si dhe përshpejtimin dhe zgjerimin e reformave të ndërmarra deri tani, në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi paketën e deeuroizimit, si një iniciativë me mjaft rëndësi, e cila, nëpërmjet masave konkrete për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e FMN-së vizituan edhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ku u njohën me historinë e monedhës shqiptare dhe programet edukative të Bankës së Shqipërisë.
Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Tao Zhang vizitoi Shqipërinë në datat 12-13 shkurt 2018. Gjatë vizitës, Zhang zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë me autoritetet kryesore të vendit./a.gjonaj/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Arlinda Gjonaj
Load More In Ekonomi, Biznes dhe Finance
Comments are closed.

Check Also

Pritje shtetërore, Thaçi: Vizioni i Kosovës anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB

PRISHTINË, 18 Shkurt /ATSH- I. Vata/ -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka organizuar sot…