Home Aktualitet VIDEO/’ E lindur me penel në dorë’, Mia Enell: Frymëzimi im janë njerëzit

VIDEO/’ E lindur me penel në dorë’, Mia Enell: Frymëzimi im janë njerëzit

11 min read
0
20

TIRANË, 12 Janar/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Një vello misterioze mbulon vizatimet apo pikturat e saj. Mia Enell punon e frymëzuar drejtpërsëdrejti nga ëndrrat.

E pajisur me dhunti të rafinuara të vëzhgimit dhe shprehjes, imazhet dhe skenat surreale që krijohen në skutat më të thella të të pandërgjegjshmes së saj dalin në dritë.

Çdo vepër e Enell ofron një trajektore personale që gërsheton botën e ëndrrave, realitetit dhe fantazisë, me sferat e artit, estetikës, metafizikës dhe subjektivitetit.

Mia Enell e lindur më 1967 në Goteborg të Suedisë, sot jeton dhe punon në Nju Jork, SHBA. “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Ka detin, malin, klimën fantastike. Shtrirje gjeografike të përshtatshme. Është një vend që më pëlqen shumë”, tha Enell për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, teksa na prezantoi me punimet e saj, 22 të tilla, 7 piktura dhe 15 vizatime, që janë të ekspozuara tek holli Kryeministrisë “Cod” dhe që do të qëndrojnë aty për dy muaj (9-Janar-9 Mars).

Mia Enell është një artiste e shumë kontureve dhe personazheve. Pikturat e saj, por sidomos vizatimet e saj, të vogla dhe intime, në dukje të pafajshme, por thellësisht psikologjike, të ndërlikuara dhe misterioze, të vizatuara thjesht me laps dhe me bojëra uji, portretizojnë skica njerëzore, ngjarje shpirtërore dhe forma të çuditshme jetësore. Puna e saj ofron një rebus pamor, që na bën kurioz dhe na ngacmon me një thjeshtësi simbolike që nuk duhet të merret ashtu si ta sheh syri.

“Kam nisur të piktoroj që kur isha 3-4 vjeç. Nëse ke prindër piktorë, e ke të pamundur të mos lindsh me penel në dorë. Skica ime e parë u vizatua me bojëra të vërteta në një telajo të vërtetë.  Një kolegë i babait e bleu për disa korona. U ndjeva një piktore e vërtetë asokohe”, tha Enell.

Në skicat dhe vizatimet e saj fëminore, Enell pajtohet me përkufizimin themelor të Frojdit se shqetësimet e pacientit janë të rrënjosura në një anomali të përgjithshme, në një sëmundje që nuk mund të shërohet dot nga terapia psikanalitike. Personazhet e saj s’mund të ndërmarrin analizën e vendit të tyre në një botë që tashmë nuk është më misterioze. Siç thotë edhe Sartri te “Qenia   dhe Asgjëja”, “autenticiteti dhe individualiteti duhet të fitohen”.

Piktorja nga Suedia rrëfen se nga fëmijëria e saj ka shumë kujtime, të cilat disa i ka kthyer në piktura, por që nuk mjaftojnë. “Ndoshta do ishte mirë që kujtimet e mija ti ktheja në një film sipas stilit të Bergmanit(Ingmar Bergman)”, shtoi ajo.

“Frymëzimi im është vetë  njeriu, një fjalë, është një vepër, është një vizion, apo një vend ku kam qenë apo që jam duke vizituar. Është një emocion që vjen nga jashtë brenda në shpirtin tim, ose e kundërta, që buron në thellësinë e mëndjes dhe shpirtit tim për tu përçuar përmes pikturës apo vizatimit tek syri dhe bota e jashtme”, tha Enell.

“Vizatimet dhe pikturat e mia nuk janë gjithnjë të kuptueshme. Në disa raste kuptohen menjëherë, në disa raste një shikues duhet ta shohë disa herë për ta kuptuar. Ka dhe nga ato raste, që shikuesi dorëzohet dhe nuk e kupton. Ndoshta është më mirë kështu. Më kujtohet njëherë, një piktorë më pyeti për kuptimin e një pikture. Ai e kishte pasur të vështirë ta kuptonte dhe më tha kur e pashë herën e parë mendova se doje të thoje një gjë, ndenja gjithë natën pa gjumë duke menduar kuptimin e saj dhe sot jam ende në dilemë, më tha”, rrëfen Enell.

“Vizatimet apo pikturat e mia janë një fragment, janë një moment, një udhëtim i shkurtër brenda në shpirtin tim, një çast që ka shumë pikëpyetje dhe që i jep gjithë secilit mundësinë të japi përgjigjen që ndjen”, tha Enell.

“Unë kur pikturojë jam vetëm me telajon dhe kam një dialog mental me veprën time”, vijoi ajo.

“Unë kam shumë piktura apo artist që më pëlqejnë dhe që më frymëzojnë. Besojë se Sigmar Polke është një influencë e madhe tek unë. Pino Pascali, Picaso në muzeun Guggenheim të Venecias me pikturën “Plazhistës”, që me inspiron shumë”, shton Enell.

“Unë fokusohem tek e brendshmja shpirtërore se çfarë përgjigje i japim ne situatave të caktuara në jetën tonë.  Unë flas për brenditë shpirtërore në artin tim”, tha Enell.

Subjektet e saj janë shpesh prototipa në mesomosh, të kapur në kurthet tinëzare të jetës e të turbulluar në shpirt nga paaftësia për të kuptuar dhe përballur kalimin e kohës, nisen të eksplorojnë pyetje themelore rreth rolit të tyre individual në shoqëritë e botës së parë. Nga veprat e saj, këta njerëz na vështrojnë në sy, të kapur në një ankth metafizik, ndonjëherë të trembur, e shpesh të hutuar dhe të pasigurt për vendin e tyre në botë.

Pothuajse në të gjitha veprat që shihen në këtë ekspozitë “Now now now”, “Tani, tani, tani”, duket se ka shpresë se me anë të një përpjekjeje të veçantë, një “ndërrimit të lëkurës”, një propozimi me “ide të mira”, ardhjes së një zarfi misterioz, një udhëtimi në vende të largëta ku qielli është i kuq dhe valët e detit janë të zeza si bitum, me ombrellë në dorë, njeriu bashkëkohor do të gjejë shpëtim. Ose, edhe nëse nuk gjen shpëtim, të paktën ka shpresë se identiteti individual dhe kontakti i vazhdueshëm emocional nuk do t’i mohohet, se gjithsesi, ai nuk do të jetë “i padukshëm”.

Arrow
Arrow
Slider
/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Arbi Fortuzi
Load More In Aktualitet
Comments are closed.

Check Also

Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

TIRANE, 23 Janar/ATSH-Z.Tosku/- “Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike s…