Home Art, Kulture dhe Argetim “Tirana Lexon”, nis maratona e leximeve në kryeqytet

“Tirana Lexon”, nis maratona e leximeve në kryeqytet

5 min read
0
80

TIRANË, 26 Tetor/ATSH/.- “Tirana Lexon”, një nismë që ka nisur 3 vjet më parë në kryeqytet, rikthehet edhe këtë vit si një përpjekje për të çuar librin tek publiku.

“Pasaporta jonë më e mirë është kultura”, deklaroi të enjten ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, gjatë aktivitetit “Tirana lexon”, që organizohet në kuadrin e TILF (Tirana Literature Festival) nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Ministrja Kumbaro së bashku me Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Abaz Hado, nën moderimin e studiuesit Agim Baçi diskutuan mbi nismat zyrtare për nxitjen e leximit dhe rijetëzimin e bibliotekave.

Sipas Kumbaros, “letërsia nuk është nga gjinitë më të lehta për të na përfaqësuar, por mendoj se jemi duke punuar fort për të vendosur në lëvizje mekanizmin”. “Kemi humbur dy gjenerata lexuesish, por jemi në kohë për të edukuar ata që po vijnë. Duke qenë se jemi një shoqëri që jetojmë shumë virtualisht, rrjetet sociale dhe media, secili prej nesh, le t’i kushtojë një minutë në ditë takimit për një libër. Do t’ i bëjmë një të mirë shumë të madhe vetes dhe fëmijëve”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja Kumbaro hapi maratonën e leximeve me pjesë nga libri “Kujtimet e një evropiani” të Jusuf Vrionit, duke e quajtur një nga përkthyesit më të njohur dhe që bëri të mundur tejkalimin e kufijve letrarë përmes veprave mjeshtërore që përktheu.

Përpjekja për ta çuar librin tek publiku është e madhe. Nis në rrjetet sociale, teatrot, instalacionet e parqet në Tiranë, e ndryshe nga edicionet e shkuara, këtë vit letërsisë i janë hapur dyert edhe në kafenetë, ku më së shumti i gjejmë të rinjtë. Këtë vit nisma dedikuar librit “Tirana lexon” synon të çojë librin edhe në periferitë e kryeqytetit, si në Bibliotekën e Bathores, por edhe të kthehet në një traditë leximi,

 

Jonila Godole, drejtuese e Institutit për Demokraci, Media e Kulturë, u shpreh se “ky festival letrar shërben që të shkëmbejmë kulturat dhe të thyejmë izolimin kulturor”. Sot është dita e autorëve shqiptarë, por në këtë betejë artistike për të fituar lexues janë ftuar edhe shkrimtarë të huaj.

Poetja austriake Andrea Grill, shkrimtarja gjermane Daniela Danz, autori Nikola Madzirov nga Maqedonia, por edhe të tjerë si Muriel Barbery e njohur në të gjithë botën për veprën “Eleganca e iriqit” do të lexojnë për publikun shqiptar veprat e tyre. Në kuadër të “Tirana lexon” (26-28 tetor) do të organizohen panele me shkrimtarë ndërkombëtarë të ardhur nga vende të ndryshme si Suedia, Franca, Austria, Gjermania si edhe nga Shqipëria, Maqedonia. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Maela Marini
Load More In Art, Kulture dhe Argetim
Comments are closed.

Check Also

VIDEO/ Toka mund të prodhojë pasuri

TIRANE, 23 Shkurt/ATSH/- Toka prodhon pasuri. Ky ishte mesazhi që Kryeministri Edi Rama u …