Home Ceshtjet Sociale Reshjet e dëborës dhe shiut, vështirësojnë qarkullimin në akset rrugore rurale

Reshjet e dëborës dhe shiut, vështirësojnë qarkullimin në akset rrugore rurale

5 min read
0
22

TIRANE, 13 Shkurt /ATSH/-Moti me reshje shiu të vazhdueshme dhe dëborë në të gjithë territorin e Shqipërisë, ka sjellë të martën në mbrëmje vështirësi qarkullimi në disa akse rrugore rurale. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) në një informacion të orës 18:30 bën të ditur se akset rrugore rurale: Shkodër-Theth, Qafë Thore;  Shkodër-Breg Lumi, në vendin e quajtur Mali i Shoshit, janë të bllokuara. Në Bashkinë Malësi e Madhe, akset rrugore rurale Selcë-Vermosh, Koplik-Razëm-Bogë janë të kalueshme me zinxhirë. Në Bashkinë e Vaut të Dejës akset rrugore në zonat malore janë të kalueshme.

Sipas ARRSH-së territori i Bashkisë Pukë prej mëngjesit të sotëm është përfshirë nga reshjet e dëborës.

Deri në këto momente situata paraqitet e qetë dhe pa probleme, ndërkohë që reshjet e dëborës vijojnë të bien me intensitet të lartë. Trashësia e borës në qytet është 3 cm, ndërsa në lartësitë malore i ka kaluar 20 cm.

Të gjitha akset rrugore nacionale dhe rurale në territorin e bashkive, Pukë, Fushë-Arrëz, janë të kalueshme pa probleme. Në akset rrugore nacionale mjetet e subjekteve kontraktore që mirëmbajnë këto akse po punojnë me intensitet. Në aksin rrugor nacional Pukë-Fushë Arrëz është e domosdoshme hedhja e sasive më të shumta të kripës në rrugë, pasi në disa pika ka rrezik rrëshqitjeje të automjeteve.

Aksi rrugor rural Fushë Arrëz-Iballë është i hapur dhe po punohet për mbajtjen hapur të tij pasi reshjet e dëborës po vazhdojnë të bien dhe i kalojnë 50 cm në disa segmente të caktuara. Akset rrugore rurale të tjera që lidhin njësitë administrative të kësaj bashkie janë aktualisht të hapura dhe kalimi bëhet nga mjetet fuoristrada, por është i nevojshëm përdorimi i zinxhirëve.

Një fadromë e bashkisë vazhdon të punojë për të penguar bllokimin e segmenteve rrugore.

ARRSH njofton se edhe Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës dhe pjesërisht ato të shiut, të shoqëruara me erëra të forta nga verilindja.

Akset rrugore nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë të kalueshme, ndërsa firmat kontraktore kanë vënë në punë 16 mjete me 64 punëtorë, ndërsa 10 mjete janë në gatishmëri.

Në aksin rrugor nacional Librazhd-Qafë Thanë, policia rrugore udhëzoi drejtuesit e automjeteve të vendosnin zinxhirët për qarkullim.

Ndërsa në Qarkun Dibër, problem nga dëbora përbën rruga rurale Selishtë-Peshkopi dhe rruga rurale Peshkopi-Lurë, në të cilat kalohet me vështirësi, pasi ka prani të mbi 30-35 cm dëborë.

Sipas ARRSH-së, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në qytetin e Vlorës, ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa akse rrugore, por jo bllokim të qarkullimit rrugor. e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Etleva Xhajanka
Load More In Ceshtjet Sociale
Comments are closed.

Check Also

Pritje shtetërore, Thaçi: Vizioni i Kosovës anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB

PRISHTINË, 18 Shkurt /ATSH- I. Vata/ -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka organizuar sot…