Home Aktualitet Reforma e ujit në Vlorë, fushatë intensive për rritjen e arkëtimeve dhe vendosjen e matësave

Reforma e ujit në Vlorë, fushatë intensive për rritjen e arkëtimeve dhe vendosjen e matësave

8 min read
0
32

VLORË, 12 Janar/ATSH-Maela Marini/.- Një fushatë intensive sensibilizuese po ndërmerret në Vlorë në kuadër të reformës së ujit, ndërsa sipas Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli “humbjet e ndërmarrjet së Ujësjellësit të Vlorës janë alarmante dhe sasia e ujit që prodhohet me atë që arkëtohet është me një diferencë të theksuar”.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli u bëri apel të premten të gjithë konsumatorëve për t’u bërë pjesë e aksionit të ujit të pijshëm. ‘Të gjithë duhet të paraqiten në sportelet e ujësjellësit për t’u evidentuar pranë ujësjellësit deri në datën 31 janar. Kushdo mund ta bëj këtë vullnetarisht dhe pa pasur asnjë lloj penaliteti, pasi pas datës 31 janar do të ketë penalitete”, tha ai.

Leli ftoi po ashtu të gjithë ndërtuesit e pallateve që të ofrohen pranë ujësjellësit për të bërë kontrata fiktive dhe për të prezantuar lidhjet e paligjshme. Ai i drejtoi po ashtu një thirrje bizneseve të qytetit, hoteleve kryesisht, që kanë konsum shumë të madh të ujit të pijshëm, të kërkojnë lidhje të re ose të deklarojnë çdo lidhje abuzive.

Leli zhvilloi sot një takim edhe në ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve, ku evidentoi problematikat kryesore në këtë sektor në qytetin e Vlorës.

Duke e konsideruar reformën e ujit më të rëndësishmen që po ndërmerret së fundi, Leli u shpreh se në kuadër të kësaj reforme Bashkia Vlorë ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për ristrukturimin e ujësjellësit, ka përmirësuar ndjeshëm rrjetin e shpërndarjes së ujit të pijshëm, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe pastrimin e kanaleve kullues.

Por, sipas tij, “trashëgimia e mbartur në sektorin e ujit është shumë e rëndë dhe në 20 vitet e fundit infrastruktura e ujit ka degraduar nga ndërhyrjet e paligjshme dhe borxhe pa fund”.

“Sot në Bashkinë Vlorë ka më shumë arkëtime për ujin, por sërish duhet të theksojmë se gjendja financiare e ndërmarrjes është tejet e rënduar me borxhe të mëdha, infrastrukturë të dobët më shumë në zonat rurale dhe arkëtime joreale në përputhje me atë që konsumohet”, tha Leli.

Që nga lançimi i kësaj reforme dy muaj më parë, sipas Lelit, konstatohet se “ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve nuk e ka marrë punën me seriozitetin e nevojshëm”.

Duke kërkuar seriozitet dhe mobilizim maksimal, Leli paralajmëroi se “në fillim të muajit shkurt kur përfundon edhe afati 90- ditor do të fillojë në terren aksioni për prerjen e paligjshme të lidhjeve dhe vendosjen e penalizimeve dhe pjesë e penalizimit do të jenë edhe punonjësit që neglizhojnë dhe nuk angazhohen në zbatimin e kësaj reforme.

“Duhet të punojmë në rritjen e arkëtimeve, vendosjen e matësave, evidentimin e lidhjeve të paligjshme dhe reduktimin e humbjeve. Kjo reformë nuk mund të kryhet në rast se nuk ekziston vullneti”, tha Leli. Ndaj ai kërkoi që të reklamohen të gjitha problematikat që ujësjellësi ka, lidhjet e paligjshme, shfrytëzuesit me 3-4 burime etj, pasi sipas tij, “kompromis me vjedhjen e ujit nuk ka më”.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizime, Arben Skënderi tërhoqi vëmendjen pasi sipas tij, “ndërmarrjet nuk i janë përshtatur pritshmërive dhe aksionit të lançuar”. “Kemi studiuar të gjithë Shqipërinë qoftë edhe nga larg dhe më vjen keq ta them por Vlora hyn tek lista e zezë. Lëvizja nuk është brenda pritshmërive që ne kemi patur. Vlora nuk është një bashki e vogël ka shumë resurse, turizëm, biznese, institucione dhe konsumatorë të vegjël familjarë. Përgjigjja në shifra nuk është ajo që duhej të ishte”, tha ai.

Në 1 shkurt, sipas Skënderit “kur fillon faza e ‘forcës’ do të ketë një renditje të aksionit sipas institucioneve, bizneseve të mëdha, të vogla, prerjeve të lidhjeve të paligjshme dhe në fazën e tretë tek konsumatorët familjarë dhe ata familjarë më të vegjël”. “Do të veprojmë sipas një plani të përgatitur, që nga faza e trokitjes në derë dhe deri në paditjen e tyre”, shtoi ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Maela Marini
Load More In Aktualitet
Comments are closed.

Check Also

Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

TIRANE, 23 Janar/ATSH-Z.Tosku/- “Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike s…