Home Aktualitet Qëndrimet pas takimit të Komitetit të Stabilizim Asociimit

Qëndrimet pas takimit të Komitetit të Stabilizim Asociimit

9 min read
0
31

TIRANË, 13 Shkurt /ATSH/- Kryetarja e delegacionit të PE, Monica Macovei deklaroi se “hapja e negociatave të Shqipërisë me BE është në interes të vendit dhe shpresoj që në prill do të festojmë së bashku hapjen e negociatave”.

Në përfundim të takimit të 12 të Komitetit të Stabilizim Asociimit, që u mbajt për dy ditë me radhë në Tiranë, kryetarja e PE, Monica Macovei dhe Kryetari i delegacionit shqiptar Taulant Balla dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp për të dhënë konkluzionet.

Në fjalën e saj, Macovei  u shpreh se “hapja e negociatave është në interesin e vendit dhe hap një kapitull të ri në tregti, drejtësi dhe në çdo çështje tjetër përsa i përket lirisë së shprehjes dhe vendit. Hapja e negociatave gjithashtu  sjell edhe rritje të investimeve të huaja në Shqipëri, sepse rritet besimi në vend dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Balla: Të gjithë bashkë për të punuar për Shqipërinë europiane

Kryetari i delegacionit shqiptar në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, Taulant Balla, deklaroi sot se “lajmi i mirë është se më në fund ne kemi një dokument të përbashkët edhe me opozitën dhe të paktën sot jemi të gjithë bashkë për të punuar për Shqipërinë europiane”.

Në fjalën e tij në konferencën për shtyp lidhur me përfundimin e takimit të 12 të Komitetit të Stabilizim Asociimit, Balla theksoi se “ky komitetet i përmbylli punimet me lajmin e mirë që më në fund kemi një dakordësi të plotë maxhorancë- opozitë për rekomandimet që Komiteti i Stabilizim Asociimit i drejton Këshillit të Parlamentit Europian”.

“Lajmi kryesor për ju është që të gjithë u bëmë bashkë eurodeputetë dhe deputetë shqiptarë për t’i kërkuar vendeve anëtare përmes këshillit dhe komisionit në radhë të parë që të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë për caktimin e një date për fillimin e negociatave”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se “gjithashtu komiteti vlerëson arritjet e deritanishme në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe në rrugën tonë drejt integrimit europian dhe sigurisht vlerësohet lartë përputhshmëria e një qind për qind e politikës tonë të jashtme me atë të BE-së”.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për reformën në drejtësi, Balla tha se “Komisioni Europian, Parlamenti Europian në vendimmarrjen e tyre, që lidhet me hapjen e negociatave, bazohet tërësisht në rezultatet konkrete të implementimit të deritanishëm të reformës në drejtësi, ku implementimi i Vetting-ut në ditët në vijim do të japë rezultatet që shqiptarët mezi presin për të nxjerrë në dritë problemet e 27 viteve drejtësi, e cila nuk ka funksionuar sipas standardeve europiane”.

Pollo: Pranohen pikat tona nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit

Deputetit i PD, Genc Pollo deklaroi votën pro të PD-së për miratimin konsensual të deklaratës së Komitetit të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është kontribut për avancimin e integrimit europian të vendit.

Ai tha së në deklaratën e përbashkët janë përfshirë disa nga shqetësimet kryesore të opozitës që nga marrja e masave për shitblerjen e votës deri tek hetimi i politikanëve të lartë si njërëzit e zakonshëm, pa mbrojtje nga parlamenti.

“Është kontributi i vetëm që ne mund të kemi për të ndihmuar në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Për të ndihmuar në çeljen e negociatave të cilën shpresojmë të ndodhë në qershor. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe pse qeveria mund të vazhdojë me refrenin e saj se fajtore është opozita për gjithçka, përfshi edhe votimin e Integrimit Europian”, tha Pollo.

Sipas tij, “faktet flasin më shumë se deklaratat dhe do të thoja që ky sot është një test, i cili përfshin shumë nga shqetësimet tona, i cili mori votat edhe të Partisë Socialiste dhe të gjithë partive të Parlamentit Europian, të përfaqësuara nga eurodeputetët, duke nisur nga shqetësimi për blerjen e votave, në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga presioni mbi votuesit, siç e parashikon e ligji penal shqiptar. Është një tekst që parashikon që politikanët e lartë, përfshirë ish-ministrat e brendshëm dhe deputetët aktualë, të mos kenë mbrojtje ndryshe nga qytetarët e këtij vendi. Këto rekomandime njohin shqetësimin e madh të ngritur nga opozita në tre vitet e fundit për kanabizimin e madh të vendit”.

Tjetër shqetësim i opozitës që reflektohet në këtë document, tha Pollo janë partneritetet private-publike. “Bëhet thirrje që të ketë kontroll dhe vlerësim të investimeve publike dhe PPP-ve, pasi ato janë shqetësim në shumë drejtime”, tha deputetit demokrat.

/i.v/k.s/ /a.g/

Arrow
Arrow
ArrowArrow
Slider

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Ilir Vata
Load More In Aktualitet
Comments are closed.

Check Also

Bien temperaturat, vendi përfshihet nga reshje shiu dhe dëbore

TIRANE, 19 Shkurt/ATSH/- Moti për ditën e sotme parashikohet  i vranët. Baza e reve të ult…