Home Kryesor Nemërçka, “Himalaja” e jugut shqiptar pret çdo fundjavë sfidantët e lartësive

Nemërçka, “Himalaja” e jugut shqiptar pret çdo fundjavë sfidantët e lartësive

6 min read
1
64

TIRANË, 12 Janar / ATSH.N.Lena / – E egër, e bukur, kryeneçe, e ndodhur në vargmalin Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, midis Përmetit dhe Gjirokastrës, një egërsi bukuroshe që josh turistët dhe vizitorët aventurierë ta pushtojnë edhe në dimrin me borë.

Ka një majë në kulmin e vet ky mal, që quhet Maja e Papingut me lartësi 2485 metra mbi nivelin e detit dhe zbardhon  në jugperëndim të Përmetit.

Turizmi në trevën e Përmetare ka njohur një zhvillim në rritje duke shënuar për vitin 2017 mbi 30 mijë vizitorë të huaj dhe vendas.

Këto shifra janë konfirmuar nga Bashkia e Përmetit duke pretenduar që viti 2018 do të jetë më i suksesshëm për shkak të masave që janë marr në akomodimin e vizitorëve i cili ka qenë i kufizuar deri rreth 300 shtretër në hotele të mirëfillta dhe pjesa tjetër e vizitorëve janë strehuar në familjet përmetare apo në të ashtuquajturat bujtina.

Turizmi përmetar është gjithëvjetor dhe statistikat tregojne se çdo muaj Përmeti vizitohet nga rreth 400 turist të huaj dhe 650 vendas.

I njohur edhe me emrin “Qyteti i trëndafilave”, për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor, ekologjik atë të sporteve dhe aventurës.

Falë edhe investimeve të qeverisë me vlerë rreth 103 milionë lekë për zonat rekreative, përmirësimin e ndriçimit dhe rikonstruksionin e rrugëve për këmbësorët, rikonstruksionin e rrugëve automobilistike, të shtëpisë së kulturës dhe rikonstruksionin e fasadave, Përmeti të tërheq gjithnjë e më shumë me bukuritë që ofron, historinë dhe traditën përmetare.

Këtë tërheqje ai e ushtron edhe në stinën e dimrit kur zbardhet nga bora.

Për të gjitha këto veçanti që e karakterizojnë mund të quhet pa frikë “Perla e Jugut”, pasi edhe të udhëtosh drejt tij, sot është mjaft komode për shkak të një rruge të asfaltuar rishtazi.

Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 10 km nga Përmeti.

Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.

Përmeti është vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në natyrë, kanionet e Vjosës, lundrimin e lumit me gomone apo kajak, climbing, ngjitje në mal në të katër stinët.

Një veçanti e pa harrueshme për vizitorin është dhe tradita e gatimeve të njohura përmetare sikundër e prodhimit të reçelërave dhe glikove, e rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë ekonomisë dhe punësimit familjar.

Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë kishat dhe  ikonostaset e mrekullueshme të tyre si ajo e Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister.

Nemërçka mbi krye të  Përmetit, sfidon aventurierët e lartësive dhe i pret çdo fund javë.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Nikolla Lena
Load More In Kryesor
Comments are closed.

Check Also

Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

TIRANE, 23 Janar/ATSH-Z.Tosku/- “Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike s…