Home Aktualitet Marrëdhëniet Shqipëri-Kroaci, drejt partneritetit strategjik

Marrëdhëniet Shqipëri-Kroaci, drejt partneritetit strategjik

3 min read
0
51

TIRANË, 12 Janar/ATSH/.- “Ka ardhur koha që marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Kroacisë të ngrihen në nivelin e Partneritetit Strategjik”, theksoi sot në Zagreb presidenti Ilir Meta, gjatë një takimi me presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Gjatë takimit Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e fortë që Presidentja Grabar-Kitaroviç dhe Kroacia i kanë dhënë Shqipërisë veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Duke iu referuar lidhjeve të forta historike dhe marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe vizionit të përbashkët euroatlantik, Presidenti Meta theksoi se, ka ardhur koha që këto marrëdhënie të ngrihen në nivelin e Partneritetit Strategjik.

Presidenti Meta vlerësoi në mënyrë të veçantë rolin dhe kontributin e komunitetit shqiptar, që jeton në Kroaci si urë lidhëse në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

Të dy presidentët ranë dakord që në kuadrin e vitit të Skënderbeut, të zhvillojnë një vizitë të përbashkët tek komuniteti 300-vjeçar i Arbanasve të Zarës.

Meta dhe Kitaroviç theksuan domosdoshmërinë e vijimit të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vlerësuan rolin shumë të rëndësishëm që mund të luajë në këtë drejtim Procesi i Brdo-Brijunit.

Meta shprehu besimin në mbështetjen e Kroacisë për çeljen së shpejti të negociatave të anëtarësimit në BE, mbështetje shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe inkurajuese për vijimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme.

Është jetike për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor një agjendë gjithëpërfshirëse dhe afate konkrete anëtarësimi në BE – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidentët Meta dhe Kitaroviç ranë dakord që vizita shtetërore e presidentes kroate në Shqipëri të zhvillohet në muajt në vijim./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Klotilda Saracini
Load More In Aktualitet
Comments are closed.

Check Also

Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

TIRANE, 23 Janar/ATSH-Z.Tosku/- “Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike s…