Home Aktualitet Lungomare, kartvizita më e mirë për të prezantuar Shqipërinë në Evropë

Lungomare, kartvizita më e mirë për të prezantuar Shqipërinë në Evropë

9 min read
0
37

– Komisioneri i BE-së , Johannes Hahn dhe kryeministri Edi Rama në ndarjen e çmimeve të konkursit për veprat e artit në Lungomare –

TIRANË, 9 Nëntor/ATSH-Maela Marini/.- Projekte të standardeve evropiane si Lungomare në Vlorë, janë modeli më i mirë për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë në Evropë dhe për të justifikuar të ardhmen në Bashkimin Evropian.

Kështu deklaroi Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, Johannes Hahn, i cili bashkë me kryeministrin Edi Rama morën pjesë sot, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit për veprat e artit që do të vendosen përgjatë Lungomares, një projekt me vlerë 15 milionë euro, i bashkëfinancuar nga BE.

Duke theksuar rëndësinë e projektit të Lungomares jo vetëm për Vlorën, por edhe për gjithë rajonin, komisioneri Hahn u shpreh se, “kam parë shumë projekte të panumërta në Evropë që janë financuar ose jo nga BE, por nuk kam parë shumë projekte të kësaj vlere, të një ndikimi kaq të madh dhe me interes për qytetarët”.

Lungomare, tha komisioneri Hahn është kartvizita dhe ftesa më e mirë për të gjithë qytetin dhe Shqipërinë, që njerëzit të vijnë dhe të shijojnë këtë pjesë të bregdetit shqiptar. Ai theksoi se “BE ka bashkëfinancuar këtë projekt dhe po bashkëfinancon rehabilitimin dhe restaurimin e disa qyteteve në Shqipëri. Përveç kësaj, BE ka dhënë mbështetje edhe për Beratin, Fierin, Korçën, për të rehabilituar një pjesë të këtyre qyteteve.

“Nëse ju e prezantoni veten ashtu siç po bëni sot me Lungomaren, kjo është një ftesë shumë e mirë që të vijnë këtu në Shqipëri shumë evropianë, kjo justifikon të ardhmen tuaj për në BE. Nëse ju keni rezultate për projekte të tilla në të ardhmen, kjo ka për të qenë një gjë shumë e mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së”, tha Hahn.

Ai shprehu gatishmërinë  e BE-së për të mbështetur vijimin e këtij projekti edhe në fazat e mëtejshme. “Kjo tregon edhe angazhimin e fortë të BE-së për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, tha Hahn.

Komisioneri Hahn propozoi krijimin e Bulevardit të Artit në Lungomare, ku sipas tij, mund të ekspozohen të gjitha veprat e artit pjesëmarrëse në konkurs, ndërsa siguroi se “do të kthehet sërish ndoshta edhe thjesht si turist për të shijuar këtë pjesë kaq të bukur të Shqipërisë”.

Rama: Vijojmë me projektet e Rilindjes Urbane për të zhvilluar ekonominë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Lungomare është një punë e përbashkët, një vepër që do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e BE-së. Lungomare, tha ai, do të shtrihet si në krahun jugor me një fazë tjetër relativisht të vogël në përmasë, deri te tuneli i Ujit të Ftohtë, ashtu edhe në krahun perëndimor, me fazën e dytë të rëndësishme deri në fund të Pyllit të Sodës.

“Të dyja këto segmente, ne do t’i nisim menjëherë, duke filluar vitin e ardhshëm, ashtu sikurse edhe Bulevardin e Ri, që do të sjellë një transformim po kaq të madh përgjatë gjithë trupit të qytetit. Qendra historike e Vlorës do t’i japë qytetit mundësinë për të shfaqur një pjesë të rëndësishme të identitetit të vetë”, tha Rama.

Kryeministri foli po ashtu edhe për transformimin e aksit Radhimë-Orikum, si dhe ndërhyrjen për vijën bregdetare të Orikumit. “Ne jemi në diskutim për të finalizuar edhe projektin e rrugës nga Orikumi përmes Llogarasë deri poshtë në Himarë, për të cilën po diskutojmë dy variante; variantin e transformimit të rrugës ekzistuese dhe ndërtimin e një aksi pjesërisht të ri me tunelin në Llogara. Kjo është në diskutim”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, “kjo është vetëm një pjesë e vogël, nga afro 500 projekte në kuadër të Rilindjes Urbane, që do të vazhdojnë edhe gjatë këtij 4-vjeçari, duke u shtrirë më thellë në zonat periferike dhe zonat rurale”. Rilindja Urbane, tha Rama, është një program që nuk vjen për të zbukuruar, por për të nxitur ekonominë, turizmin, punësimin dhe patjetër edhe një zhvillim social të zonave”.

Për të ilustruar impaktin e projekteve të Rilindjes Urbane, kryeministri solli si  shembull rritjen e ndjeshme të vlerës së pasurive të patundshme në zonat ku zbatohen këto projekte. Këto investime, tha Rama, influencojnë drejtpërdrejt në jetën e komuniteteve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Maela Marini
Load More In Aktualitet
Comments are closed.

Check Also

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 19/02/2018

RAYONG (Tajlandë) – SHBA dhe Tajlanda zhvillojnë manovrat e përbashkëta ushtarake &#…