Home Rajoni Kosova Kosovë – Qeveria vendosi rritje pagash 4% nga 1 janari 2018

Kosovë – Qeveria vendosi rritje pagash 4% nga 1 janari 2018

4 min read
0
18

– Komision ndërministror për shënimin e 550-vjetorit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu –

PRISHTINË, 12 Janar/ATSH-Behlul Jashari/.- Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, në një mbledhje sot pasdite, vendosi për rritjen e pagave 4%, duke filluar nga 1 janar 2018, për të gjitha kategoritë që paguhen nga buxheti i shtetit.

Rritja bëhet në pagën bazë, duke përfshirë mjetet financiare prej 30 euro për punëtorët e Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës si dhe 44 euro për punëtorët shëndetësor.

Rritja aplikohet edhe në shpërblimin e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në këtë ngritje nuk do të përfshihen të gjithë ata që kanë përfituar ngritjen e pagave, sipas vendimit të qeverisë së Kosovës, të datës 20 dhjetor 2017.

Qeveria vendosi edhe për ngritjen e shumës së kompensimit për skemat e ndihmave sociale për 20 për qind, sipas numrit të anëtarëve të familjes, duke filluar nga 1 janari 2018.

Me vendimin e miratuar nga qeveria e Kosovës ndahen 54,850 euro për mbulimin e shpenzimeve për manifestimin multikulturor “Flaka e Janarit” 2018 në Gjilan.

Kabineti qeveritar miratoi vendimin për themelimin e Bordit Këshillëdhënës të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës formoi komisionin ndërministror për shënimin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Komisioni është i mandatuar t’i bëj të gjitha parapërgatitjet si dhe axhendën e shënimit të këtij jubileu.

Kryeministri Haradinaj informoi për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa qeveria miratoi propozimin që shefi i kabinetit të tij, Avni Arifi, të jetë shef i delegacionit kosovar në këto bisedime me ndërmjetësimin e Brukselit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, informoi kabinetin qeveritar rreth procesit të përmbylljes së Misionit të EULEX-it në Kosovë, si dhe për hapat që janë marrë për plotësimin e vakumeve ligjore.

Janë evidentuar 8 ligje që duhet të plotësohen dhe ndryshohen në këtë proces.

Kabineti qeveritar miratoi propozimin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për ndarjen e 65 mijë eurove për të mbështetur funksionimin e qendrave për strehimin e viktimave të dhunës në familje./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Gjergji Mima
Load More In Kosova
Comments are closed.

Check Also

Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

TIRANE, 23 Janar/ATSH-Z.Tosku/- “Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike s…