Home Ceshtjet Sociale FOTO-VIDEO/ Reforma në Arsimin e Lartë po jep rezultatet e para

FOTO-VIDEO/ Reforma në Arsimin e Lartë po jep rezultatet e para

9 min read
1
36

TIRANE, 12 Janar /ATSH/-Ministrja e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë Lindita Nikolla  mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë në Tiranë.

Gjatë fjalës së saj, Nikolla iu bëri thirrje drejtuesve të universiteteve dhe fakulteteve që së bashku të bëjnë të mundur suksesin e reformës së Arsimit të Lartë e cila po jep rezultatet e para.

“Ne do të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë, por modestisht, përulësisht bëni edhe ju detyrat e shtëpisë. Këto vendet që janë bosh sot këtu të autoriteteve të rëndësishme të Universitetit të Tiranës, përpara se të bëjmë bashkimin e madh të universiteteve le të bëjmë këtë bashkimin e vogël të përgjegjësive për të vijuar më shumë, më fortë me treguesit e arritjes, me përgjegjësinë e zhvilluar, ka një autonomi e zgjeruar që arsimi i lartë iu ka dhënë, që ligji i ri për arsimin e lartë iu ka dhënë të gjitha institucioneve tona të arsimit të lartë”, u shpreh ajo.

Ministrja nxiti studentët për të bërë sukses në rrugën e re që i pret dhe shprehu mirënjohje për prindërit e tyre që sakrifikuan gjithçka për mundësimin e studimeve të tyre.

Nikolla deklaroi se ky fakultet është ndër më të mirët në Universitetin e Tiranës duke bërë publik edhe disa nga të dhënat e përftuara nga regjistrim i studentëve gjatë vitit akademik 2017-2018 ku studentët që zgjodhën ekonomikun kanë mesatare mbi 9.

“Në vitin akademik 2017-2018 Fakulteti i Ekonomisë në degën Administrim Biznes ia ka dalë të renditet i pari ndër kërkesat e maturantëve, për këtë program studimi raporti ka qenë 18 kërkesa për një kuotë, po ashtu Financave Administrim Biznesi nota mesatare e studentëve të pranuar është 9.24,mesatare kjo që tregon për rëndësinë që ka pajisja me një diplomë nga Fakulteti Ekonomik i të rinjve dhe të rejave tona. Po ashtu 100 studentët ne degën Informatikë Ekonomike kanë notë mesatare që varion nga 9.5 deri në 10. Këto janë disa tregues të rëndësishëm për interesin e maturantëve të shkëlqyer të Shqipërisë për Fakultetin e Ekonomisë, por më lejoni që po modestisht t’iu them të nderuar prindër, studentë e po ashtu të nderuar profesorë e profesore të Universitetit të Tiranës të Fakultetit Ekonomik por edhe të ftuar që janë sot këtu, t’iu them që është edhe një tregues i rëndësishëm i rezultateve që po jep reforma në Arsimin e Lartë”, tha ministrja.

Sejko: BSH i ka gjithmonë të hapura dyert për studentët e Universitetit të Tiranës.

Duke përgëzuar studentët në këtë ditë të shënuar të diplomimit të tyre, Guvernatori Sejko theksoi se, edukimi është një sfidë e përhershme, e cila na shoqëron për gjatë gjithë jetës.

“Pavarësisht formës dhe kohës që harxhojmë, të gjithë pa përjashtim, ne jemi në një proces të pandërprerë të përditësimit dhe të shtimit të dijeve”, tha ai.

Nëse do të më pyesnit sot, vijoi Sejko, se cila është këshilla ima për secilin prej jush, edhe pse mund të tingëllojë pak si klishe, nuk do të hezitoja asnjë moment të them: do të jeni të suksesshëm vetëm nëse mësoni të jepni përtej vetes tuaj. Nga ky këndvështrim, për të gjithë ju që keni tashmë një ide se çfarë do të bëni me jetën tuaj, nuk më mbetet gjë tjetër përveçse t’ju them urime dhe suksese. Për të gjithë juve që ende nuk e keni vendosur, ju nxis të kërkoni duke besuar në instinktin tuaj, me vullnet e përkushtim.

Guvernatori i bëri apel studentëve, të përqasin idetë novatore në projektet e tyre për të përballur sfidat e kohës, dhe për të garantuar të ardhmen e kombit në rrjedhën e kohës.

Banka e Shqipërisë ndër vite po forcon bashkëpunimin me studentët e talentuar.

Ajo e ka kthyer në traditë të përvitshme tashmë, konkursin e hapur dedikuar studentëve nën logon “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë”, ku fton të gjithë studentët shqiptar të diplomuar në atë vit, brenda dhe jashtë vendit, për të marrë pjesë dhe më pas për t’u pëzgjedhur fitues i çmimit, me punët e tyre shkencore në lidhje me çështje ekonomike monetar, stabilitetin financiar,integrimin ekonomik të Ballkanit në Evropë, veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, sistemin bankar shqiptar dhe ekonominë në përgjithësi.

Ndërsa zhvillon praktikat studentore në Bankën Qendrore, për rritjen e profesionalizimit dhe eksperiencës së studentëve më të mirë në fushën bankare .e.xh/ /a.g/

Arrow
Arrow
ArrowArrow
Slider

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Etleva Xhajanka
Load More In Ceshtjet Sociale
Comments are closed.

Check Also

Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

TIRANE, 23 Janar/ATSH-Z.Tosku/- “Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike s…