Home Ceshtjet Sociale Bashkia e Tiranës mban premtimin, 60 familje marrin shtëpitë e reja në Shkozë

Bashkia e Tiranës mban premtimin, 60 familje marrin shtëpitë e reja në Shkozë

7 min read
1
27

TIRANE, 13 Shkurt/ATSH-Z.Tosku/-Për 60 familje në Shkozë ëndrra e të pasurit një shtëpi të re, të ngrohtë, ku mund të rrisin fëmijët e tyre, është bërë realitet. Deri para pak ditësh, këto familje jetonin në kushte aspak dinjitoze, kurse sot, falë projektit “New House – New Life” i financuar nga Bashkia e Tiranës dhe IADSA, kanë një banesë të re.

Pas shtëpive të reja për 60 familjet në Lanabregas, të cilat u shpërndanë muajin e kaluar nga Bashkia e Tiranës, dhe 60 familjeve të tjera morën sot shtëpitë në Shkozë.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, ishin sot në shtëpinë e Yllit dhe Netës, për t’i uruar ata për banesën e re.

Ai theksoi se ky projekt krijon një model funksional dhe efikas jo vetëm për strehim, por edhe për integrimin e plotë të këtyre komuniteteve dhe garantimin e kushteve më të mira të jetesës. Për ndërtimin e këtyre banesave, kryebashkiaku i Tiranës shprehu mirënjohje të veçantë për qeverinë dhe ambasadorin italian, që bënë të mundur kurorëzimin me sukses të një bashkëpunimi të nisur vetëm një vit më parë.

Ambasadori Italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, theksoi se: “Është bukur të shohësh këto buzëqeshje dhe këta fëmijë, që tashmë kanë një shtëpi të bukur dhe duhet të vazhdojnë të shkojnë në shkollë, të bëhen qytetarë jo vetëm shqiptarë, por edhe europianë, të realizojnë ëndrrat e tyre në Europë dhe në botë”.

Arben Ahmetaj, ministër i Financave dhe Ekonomisë, u shpreh i emocionuar që nga projekte të tilla  përfituesit realë janë familjet në nevojë. Ai falenderoi  Veliaj për përkushtimin e treguar në këto projekte sociale. Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës që brenda një kohe të shkurtër mundësoi strehimin e këtyre familjeve duke siguruar jo vetëm një strehë, por edhe ofrimin e shërbimeve publike për ta.

60 familjet që përfituan nga ky projekt janë pjesë e komunitetit rom dhe Tirana është qyteti i parë që i jep zgjidhje të qëndrueshme strehimit të këtij komuniteti.

Projekti “New House – New Life” u realizua përmes marrëveshjes së nënshkruar midis Bashkisë së Tiranës dhe IADSA, për rehabilitimin e vendbanimeve të komunitetit rom në Shkozë dhe që kishte për qëllim krijimin e një qendre të re banimi, në territorin e quajtur si “ish Kombinati i Autotraktorëve”, truall në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Përmes këtij projekti u bë i mundur instalimi i 60 strukturave, banesa një-katëshe, me hapësira në përputhje me numrin e anëtarëve të familjeve, me standarde për jetesë të përshtatshme dhe komoditet.

Ndërkohë, të gjitha familjet përfituese rome në shkëmbim të përdorimit pa pagesë të banesës kanë detyrimin të përmbushin në mënyrë të vazhdueshme detyrime, që lidhen me mosshfrytëzimin ekonomik, të marrin masat dhe të sigurojnë regjistrimin e fëmijës në shkollë dhe ndjekjen e rregullt të programit mësimor, të sigurojnë trajtimin shëndetësor të fëmijëve, kur është i nevojshëm. Gjithashtu, këto familje duhet të marrin masat për të regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile fëmijët e porsalindur dhe të pranojnë punësimin nga Zyra e Punës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Zina Tosku
Load More In Ceshtjet Sociale
Comments are closed.

Check Also

VIDEO/ Toka mund të prodhojë pasuri

TIRANE, 23 Shkurt/ATSH/- Toka prodhon pasuri. Ky ishte mesazhi që Kryeministri Edi Rama u …