Home Art, Kulture dhe Argetim Banesa mbi 250 vjeçare e familjes Çeka në Shkodër, tashmë me portë të re

Banesa mbi 250 vjeçare e familjes Çeka në Shkodër, tashmë me portë të re

5 min read
1
48

TIRANË, 13 Janar/ATSH/.- Banesa karakteristike shkodrane me stil oriental, Filip Çeka, e cila që nga viti 1963 gëzon statusin monument kulture i kategorisë së parë, do të ketë tashmë një portë të re.

Kjo portë po ndërtohet nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare e Shkodrës në respekt të traditës së banesës shkodrane.

“Banesa Filip Çeka, monument kulture i kategorisë së I-rë tashmë do ketë dhe portën e re në respekt të traditës së banesës Shkodrane. Restaurojmë dhe ruajmë traditën, ruajmë vlerat”, thuhet në një postim të DRKK-së Shkodër.

Banesa dy katëshe mbi 250-vjeçare, e ndodhur përballë konviktit të shkollës së gjuhëve të huaja, duket si në ndonjë muze etnografik apo kështjellë e vjetër mesjetare, të cilat i ndesh rrallë. Muret e larta rrethuese nuk lejojnë që ajo të vërehet nga jashtë, por hapësirat e bollshme, gdhendjet me dru janë dëshmi e vlerave të saj kulturore. Origjinalitetin e saj, aktualisht vazhdon ta ruajë një nga dhomat e katit të dytë, të cilën Ëngjëll Çeka e ruan me shumë kujdes e përkushtim dhe e ka kthyer në një minimuze të familjes së tij.

Dhoma ka tavan me gdhendje, oxhak të madh të stolisur me ornamente, sënduk pajë, mobilje e relike të vjetra të ruajtura me shumë kujdes. Edhe pse me profesion ekonomist, Ëngjëll Çeka ka një pasion prej historiani dhe prej vitesh ka kërkuar ndër arkiva, biblioteka dhe në shtypin e kohës, duke nxjerrë dhe skeduar pothuajse të gjitha ato çka janë shkruar dhe thënë rreth trungut të familjes së tij, të cilat së bashku me dokumentet e tjera dhe reliket e rralla që zotëron, përbëjnë një pjesë të historisë jo vetëm të Çekajve, por dhe të qytetit të Shkodrës.

Banesa ka tre dhoma me oxhaqe të punuara me mjeshtri e të gdhendura me ornamente, por aktualisht vetëm njëra e ka sot një të tillë. Për rikonstruksionin e saj ka ndërhyrë disa herë Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Nga dokumentet që disponohen, të shkruara, rezulton se kjo shtëpi në shekullin XVII kishte altar, gjë e cila i takonte shtëpive me tradita dhe të pasura. Kjo vërtetohet nga një dëshmi e Marjan Prelajt e cila ruhet në AQSH dosja 133, ku thuhet se “….misionarët françeskanë kur ndaleshin në Shkodër për nevojat e veta, deri në vitin 1861 vinin në shtëpitë e më të parëve pasanikë shkodranë ku disa familje me leje mbanin altar në dhomat e vogla të familjeve. Në shekullin XVII ishin shtëpitë e Çobës, Çekës etj”, tregon Engjëll Çeka. Një rrugicë afër kishës së Arrës së Madhe mban emrin rruga e Çekajve./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ''Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare'', ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Load More Related Articles
Load More By Klotilda Saracini
Load More In Art, Kulture dhe Argetim
Comments are closed.

Check Also

Shkololli: Vizioni im, t’i japë hov skenës artistike shqiptare drejt asaj ndërkombëtare

TIRANE, 23 Janar/ATSH-Z.Tosku/- “Vizioni im do t’i japë hov skenës artistike s…