Home Artikuj te Tjere ATSH…NJË SHEKULL HISTORI SHQIPTARE

ATSH…NJË SHEKULL HISTORI SHQIPTARE

ATSH 10TIRANË, 28 Mars/ATSH/.-Me një arkiv të pasur fotografie, por edhe dokumentar, institucionit më të vjetër mediatik në vend, Agjencisë Telegrafike Shqiptare i mungonte një historik i dokumentuar i fillimeve të veta. Nuk e di arsyen pse duhet të kish ndodhur kështu, por gjithsesi ky boshllëk e ndjeja se duhej plotësuar.

Në atë çfarë ndodhej e shkruar ishte se ATSH e ka filluar veprimtarinë e vet në vitin 1945. Ngjante jo pak kontradiktore një e dhënë e tillë, kur marrëveshjet e para të ATSH-së me agjencitë më të mëdha të botës, datonin gati dy dekada më parë, ndërsa referencat për lajmet e transmetuara nga ky institucion shtyheshin edhe më tutje në kohë. Të dhëna të pakta, por gjithsesi të inspironin për të gjurmuar e kërkuar më tej në ndërtimin e profilit të vërtetë historik të këtij institucioni, bazë e rëndësishme e medias shqiptare.

Duke gërmuar në arkiva të ndryshme, duke parë me vëmendje çfarë ishte trashëguar nga fotot në ATSH, duke biseduar me punonjës të vjetër të këtij institucioni, forcohej bindja se ATSH me fillimet e saj datonte shumë herët, shumë më tepër se cfarë ishte thënë e shkruar deri tani.

Një gazetare e re dhe pasionante, Zina Tosku, mori me shumë seriozitet angazhimin për t’í hyrë punës lidhur me dokumentimin e historikut të vërtetë të lindjes së ATSH –së. Ka muaj që punon dhe ka arritur të ndërtojë një profil të këtij historiku që është vetëm drafti i parë mbi të cilën janë të ftuar e të lutur të gjithë, në mënyrë të veçantë ata që kanë punuar e kontribuar këtu të sjellin të dhëna, kujtime, referenca që lidhen me institucionin mediatik i cili përbën një krenari të veçantë për median shqiptare: Dje dhe Sot !
Në vijim po i le radhën Zinës për të bashkëbiseduar me atë çfarë ka përgatitur ajo…..

Gëzim Podgorica,
Drejtor i ATSH

ATSH 30Themelimi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare në historinë e shtypit shqiptar zë një vend të rëndësishëm, që tregon ekzistencën e një institucioni që ka nisur të funksionojë që në tentativat e para të krijimit të shtetit shqiptar
Pranë Arkivit Qendror Shtetëror gjenden dokumente që i përkasin vitit 1913, të cilat paraqiten si njoftimet e para të Ministrisë së Post-Telegraf-Telefona. Nga këto njoftime mund të veçoja vendimet e marra nga Konferenca e Londrës për problemin Shqiptar lidhur me kufijtë e Shqipërisë të cilat shpërndaheshin ne adresa të ndryshme.

Një pjesë e funksionit të Post Telegraf-Telefona lidhej edhe me marrjen e njoftimeve të rëndësishme në drejtim të Shqipërisë. Ky funksion i një seksioni të veçantë të Postë Telegraf-Telefona nuk emërtohej më siglën e sotme ATSH, por kryente të njëjtin rol, sigurisht në dimension më të vogël që kryen sot agjencia.

Mirëfilli merrte dhe shpërndante lajme që lidheshin me aktivitetin politik të Qeverisë dhe zhvillime të tjera të vendit, por në të njëjtën kohë merrte lajme nga burime jashtë Shqipërisë të cilat kishin në qendër ngjarjet në vendin tonë.

Në dosjen 1, të vitit 1913, Fondi 199, sipas njoftimit të Agjencisë Telegrafike Italiane, me numër 07061 në datën 16 korrik të 1913 ka mbërritur telegram në Vlorë, bëhet e ditur:
“Thuhet me siguri për së afërmi janë për të nisur delegatët e Fuqive të Mëdha për të shënuar mbi tokë shqiptare kufijtë që ka vendosur konferenca e Londrës. Sir Edward Grey duke bërë fjalë në Camera deri Comuni (Dhoma e Komunave-shënim) për luftën ballkanike deklaroi se fuqitë kurrë nuk kanë për të lënë që të merren nëpër këmbe vendimet, ca për me tepër i përket Shqipërisë”.

Njoftimi kishte vetëm një faqe të ndarë në dy pjese. Në gjysmën e parë shkruhej në gjuhën italiane ndërsa pjesa tjetër gjendet e përkthyer në gjuhën shqipe. Telegrafët e lëshuar nga administrata e telegrafëve të shtetit shqiptar dërgoheshin dhe merreshin nga Roma e Napoli për në Vlorë e anasjelltas.
Gjatë kësaj kohe jepet gjendja e Shqipërisë. Në një dokument, të vitit 1914 në dosjen 1, fondi 199, me numër rendor 603, të datës 8 janar të 1914 në një telegraf në Vjenë të titulluar “Korrespondenca shqiptare” flitet për veprimtarinë e Ismail Qemalit. Informacionet jepen në gjuhën frënge. Në telegrafët për korrespondencën shqiptare flitej për rolin e figurave kryesore për politiken shqiptare si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri. Për veprimtarinë dhe rolin e tyre në Shqipëri, shkruhej gjatë në dokumentin me nr.8989, të datës 26 maj 1914. Deklaratat e Ismail Qemalit për gazetën “Le Figaro” jepen ne dokumentin nr.941, më 12 qershor. Informacione ne detaje jepen për qytetin e Tiranes, Elbasanit, Durrësit dhe Krujës. Pra, Post Telegraf-Telefon, një pjesë të funksionit të saj ishte edhe marrja-dhënia e informacionit nga jashtë e brenda vendit.

Informacione e dokumente që lidhen me njoftime apo lajme të ndryshme ka edhe për gjatë viteve të tjera, por ata janë përherë të shkëputura dhe nuk ruajnë një kronologji kohore. Kjo mungesë lidhet me arsye të ndryshme, por ama të gjitha dokumentet  tregojnë se kemi të bëjmë me dhënie e marrje lajmesh që vijnë gjithnjë si informacione të karakterit mediatik.

Sipas argumenteve të dhëna në kohë, ka ekzistuar një lidhje mes zyrës së shtypit dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Të dhënat janë të pakta, por ato që kemi arritur të sigurojmë dëshmojnë se ATSH ishte e dëshmuar si një agjenci mirëfilli lajmesh. ATSH-ja apo zyra e shtypit mbetet për t’u verifikuar se cila është më e hershme, por bërthama e një agjencie informacioni ka shoqëruar shtetin shqiptar që në lindjen e tij, pavarësisht konstruktit të dobët institucional që ka patur ai.

ATSH 33Zyra e Shtypit u formua në 1920 pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa në 1927 u zhvendos në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga faktet të dokumentuara pranë Arkivit Qendror Shtetëror thuhet se në vitet 1920-1927 funksionet që lidhem me ATSH (si agjenci lajmesh) i ka mbuluar Ministria e Punëve të Brendshme. Në 18 janar 1943 në gazetën “Tomori” teksa përpilohej biografia e ministrit të Kulturës Popullore, thuhet se Mihal Sherko krijoi në vitin 1927 ATSH-në, brenda Zyrës së Shtypit në MPJ.

Në 1929, Zyra e Shtypit kalon në varësi të Kryeministrisë e deri në vitin 1939 ka qenë strukturë herë e MPB-së e herë e MPJ-së, duke pasur gjithnjë titullar Mihal Sherkon. Pas pushtimit fashist të 7 prill 1939, Zyra e Shtypit u shkri dhe i kaloi Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit, Propagandës e Turizmit, me të cilën qëndroi deri në vitin 1941. Në fund të viteve 1941 kemi për herë të parë krijimin e Ministrisë së Kulturës Popullore, ku u përfshi edhe ATSH-ja, deri në 1944.

Dekreti i 3 dhjetorit 1941 krijoi për herë të parë Ministrinë e Kulturës Popullore, duke marrë të gjitha detyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtypit, Propagandës dhe Turizmit, e cila (drejtoria) pushonte së vepruari. Funksioni i parë i ministrisë ishte turizmi.

Qeveria e parë komuniste e formuar në Berat më 23 tetor 1944, miratoi krijimin e Ministrisë së Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, e cila ishte hapi i parë drejt shkrirjes së Ministrisë së Kulturës Popullore. Por kjo zgjati më shumë se një vit pasi kultura dhe turizmi humbën rëndësinë e tyre, për të përfunduar në një zyrë brenda Ministrisë së Arsimit të vitit 1946.

Në vitin 1945 ATSH-ja u formua si institucion më vete.

ATSH 31Për drejtorin e parë të Agjencisë Telegrafike Shqiptare flitet në dosjen 2 të vitit 1928, ku jepen të dhënë rreth Institucioneve qendrore të Shqipërisë, përfshirë edhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe flitet për drejtorin e parë, Mihal Sherko.
“The press. Albanian Press Byreau and Telegraph Agency: Tirane, director Mihal Sherko (1921)” , thuhet në rreshtin e gjashtë të kësaj dosje.

Me drejtor Mihal Sherkon, buletinet e përditshëm kishin lajme nga të gjitha anët e botës. Më 17 tetor të 1929, në buletinin me numër 579 publikoheshin lajme nga : Uashingtoni, Britania, Nju Jork-u, Madridi, Radio Vattikani, Praga, Palestina, Napoli, Sofja, Viena, Budapesti, Meksika, Shangai, Pekini, Haga, Moska, Buenos Airies, Selaniku, Kairo, Genova, Teherani, Stokholmi, Montreali, Tunizia, Lisbona, Mynihu, Ankaraja, Rio de Janero, Brukseli, Atlantico-City, Oslo.

Në kohen kur në krye të ATSH-së ishte Mihal Sherko, ATSH-ja mbante lidhje me agjenci prestigjoze ne botë. Mund të përmendim : Walffbureua-Berlin, Reuter-London, Belga-Bruksel, Havas-Paris, Korrbureau-Budapest, Telegraphique-Berne, Korrbureau-Vien, Presse Avolla-Belgrade, Press Bureau legation albanie-Belgrade, Parren-Athine, Agentolie-Angoria, Stefani-Rome, Reuter-Amsterdam etj.

Duke shikuar arkivin e sotëm të institucionit dhe verifikuar fotot e kohës, shikon se në vitet 1928, 1929 dhe 1930 , drejtori i parë i këtij institucioni, Mihal Sherko nënshkruan disa marrëveshje bilaterale bashkëpunime me agjenci mjaft autoritare në botë. Këto marrëveshje dëshmojnë se ATSH e ka ndërtuar profilin e saj mediatik dhe interesi i agjencive për shkëmbim lajmesh sigurisht që dëshmon se kemi të bëjmë me një media që ka influencë në mediat vendase, po edhe komunikim të hapur me mediat e huaja. Fakti që lidhen marrëveshje me ATSH është tregues i qartë dhe i pakundërshtueshëm se kemi të bëjmë me një institucion me vete dhe jo më si një zyrë e një dikasteri .

Krijimin e Agjencisë Telegrafike si një institucion më vete, e vërteton edhe një një shkresë e vitit 1933. Në shkresën me numër rendor 684 , të datës 8 tetor, jepen festimet e mbretit zog me rastin e ditëlindjes dhe në fund të telegrafit jepet logoja e ATSH-së, “Agj, Tel. Shq”.
Logoja e ATSH-së: Zyra e Shtypit
Tiranë
Shërbim lajmesh, Agjencia Telegrafike Shqiptare
Të reja radio-telegrafike.

Sigurisht ky dokument është një referencë që tregon se kemi të bëjmë me një institucion me profil të përcaktuar mediatik, por nuk mund të merret si bazë për të referuar datën e lindjes së këtij institucioni. Mirëfilli si ATSH në bazë të dokumenteve, po edhe fotove dhe marrëveshjeve të nënshkruara, viti 1927 është bazik për këtë referencë.

Dokumentet që e vërtetojnë ATSH si institucion me vete lidhen me vitin 1927, pra saktësisht 90 vite më parë, duke bërë kështu që kjo agjenci të jetë ndër më të vjetrat në rajon por edhe kontinent. Më vonë janë krijuar agjencia rumune e lajmeve, ajo greke e të tjerë. Gjithsesi viti 1913 mbetet viti i transmetimeve të para të lajmeve zyrtare përmes seksionit që kishte profilin e një agjencie në ato kushte dhe atë sfond që vepronin edhe institucionet e tjera të sapo ngritura të shtetit shqiptar.

Pyetja është : Cili është viti kur u ngrit ATSH ? Sigurisht që nuk është 1945 siç ka qënë pretenduar deri kohë më parë. Viti 1927 mbetet referenca që ka në themel institucionin mediatik, emërtimi i të cilit është edhe sot por kërkesa për të pretenduar që agjencia e informacionit kishte themele që në vitin 1913 nuk është pretendim që duhet anashkaluar apo moskonsideruar si një datë e mirëfilltë e një agjencie lajmesh.

Duke folur për vitin 1927 si viti që shënon në mënyrë eksplicite me emrin e sotëm këtë institucion mediatik, shohim se rrugëtimi i saj përmes komunikimit me agjenci në të gjithë Europën është dëshmia më e qartë dhe e pakundërshtueshme se Shqipëria e kishte agjencinë e vet në këtë kohë. Është një hap emancipues në fakt kur mendon se si ishte vendi ynë në atë periudhë dhe se çfarë prapambetje ekonomike e sociale kishte por edhe problemet politike me të cilat ballafaqohesh.

ATSH 32Mjaft intelektualë të spikatur kanë dhënë kontribute të veçanta në këtë periudhë të vështirë të historisë dhe Mihal Sherko që u ngarkua të drejtonte një agjenci lajmesh,  ishte një ndër ta. I shkolluar në Perëndim dhe me një vullnet për të krijuar një media që i kishte shoqet e pakta në Ballkan, tregon për vizionin e tij, po edhe mbështetjen që mori nga intelektualë të tjerë. Nuk ishte një punë që mund ta kryente vetëm. Jo rastësisht edhe orientimi që të vendosë komunikim midis ATSH-së dhe agjencive homologe në Europë e përtej saj, dëshmon se kemi të bëjmë me një person të ditur që di të gjejë mjaft mirë orientimet e kohës dhe domosdoshmërinë që ka marrja dhe dhënia e informacioneve.

Në një foto të arkivit që disponon ATSH, Sherko shfaqet përkrah Fan Nolit dhe Milto Gurrës. Mihal Sherko u njoh me Fan Nolin në Odesë të Rusisë .

Pak të dhëna ka se si ka filluar puna dhe sa ka qënë numri i lajmeve që transmetoheshin, por mbetet e dokumentuar që me kalimin e viteve zgjerohet komunikimi mes ATSH-së dhe botës.

ATSH 35Shtohet Hamburgu, Luksenburgu, Aleksandria, Bari, Leipzigu, Korfuzi, të cilët iu bashkangjitën kontakteve të lajmeve.
Në 31 janar të 1934, ATSH-ja kërkon të zgjasë marrëveshjen e saj të bashkëpunimit me Gjermaninë, me agjencinë DNB, agjencia zyrtare e lajmeve te Gjermanisë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe agjencia gjermane DNB pasqyruan shkëmbimet zyrtare institucionale për vdekjen e mareshallit  Hindergurg me 1934, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke konfirmuar komunikimin mes tyre.

 

Zgjerohet komunikimi për shkëmbimet e lajmeve edhe me radio-Lubjanën, radio-Sofjen, New-Dehli, radio-Ankaranë , radio-Lodrën e të tjerë, duke dëshmuar kështu një interes për ATSH edhe si një pikë reference zyrtare.

Kështu, në vitin 1944 jepen informacione të shumta nga radio-Londra apo nga radio-Bari mbi ngjarjet më të rëndësishme politike. Radio-Ankaraja kryesisht transmetonte informacione të përgjithshme mbi zhvillimet politike në SHBA, Rusi, Gjermani. Çështjet që qëndronin në plan të parë ishin gjithmonë ngjarjet politike. Të gjitha këto informacione citonin si burim Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Në librin me titull “Vazhdimësia dhe paqartësia. Italia dhe Shqipëria (1914-1939), me autor Massimo Borgogni në faqen 340 flitet per Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

“Ne fakt Agjencia Telegrafike Shqiptare i kishte sinjalizuar zyrës së shtypit shqiptar , qe forcat shqiptare ishin duke bërë rezistencë zbarkimeve italiane sidomos ne Vlore, qyteti që ishte më i prekur nga bombardimet. AQSh, ministria e puneve te jashtme, 1939, fondi 251, mbledhja 75, faqja 10, 11 e 12, agjencia telegrafike shqiptare, zyrës së shtypit , Tirana, 7 prill 1939”.

ATSH-ja fillimisht rezulton si vendndodhje aty ku ka qënë bashkia e vjetër, ku ishte ish Komiteti Ekzekutiv më pas është zhvendosur tek Bulevardi përballë ish ndërtesës së gazetës “Zëri i Popullit”.
Ecurinë e ATSH-së e gjejmë të pasqyruara edhe nga gazetat e kohës. Kështu, në një artikull të “Gazetës Shqiptare” nr. 35 datë 1.2.1937 kemi dy fotografi, një të Mihal Sherkos dhe një të sallës së makinerive të ATSH-së.

Midis të tjerash në shkrim thuhej: “….Atje sipër në pallatin madhështor ndodhet pra qendra , ku gazetarët e kryeqytetit kanë drejtuar interesimin e tyre vazhdimisht sepse atje për ta ndodhet një dritare gati magjike”.
Në një tjetër artikull të kohës thuhet se: “ I vendosur në Katin e sipërm të ministrisë dhe vënë në drejtimin e palodhur të dr. Mihal Sherko. Radiostacioni tani përbëhet nga tre aparate të instaluara në një dhomë elegante, sic po e shef lexuesi në klishenë e mësipërme . I pari aparat është në lidhje me D.N.B të Berlinit, i dyti me Agjencisë Havas të Parisit dhe i treti me Agjencinë “Stefani” i Romës. Brenda pak kohe me të premtuar buxheti, Drejtoria e Shtypit do të vendosë edhe një makinë të katërt e cila do të ketë lidhje me agjencinë e Rojterit të Londonit”.

ATSH 36Po në këtë artikull thuhet: Shërbimi i radiostacionit të shtypit shqiptar vazhdon i paprerë që nga ora 6 e mëngjesit deri në orën një pas mesnate. Personeli i tij përbëhet nga 6 veta. Dy operatorë, tre redaktorë dhe një ekspenditor. I gjithë ky personel merret me dërgimin e shtypit kombëtar nëpër kolonitë tona. I biri i Mihal Sherkos, Sergei Sherko në kujtimet e tij thotë se ATSH në vitet 30 kishte një rrjet korrespondentësh në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë si Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Sarandë. Ai përmend disa nga emrat e asaj kohe si : Koço Semini, Muharrem Pirdeni(anglisht), Zonja Plasari (Frengjisht), Vasil Xhacka (greqisht). Sipas tij, ATSH-ja ka pasur në Vjenë, një korrespondent të quajtur Leo Aleksandër Frojndlih i cili ka qënë ndërlidhës me agjencitë perëndimore.

Në 7 prill të 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Mihal Sherko largohet bashkë me personelin e tij ndërkohë që thuhet se ATSH ka vazhduar veprimtarinë e saj tashmë nën okupimin e italisë nazi-fashiste. Megjithë këmbënguljen për të gjetur në arkiva materiale që dëshmojnë për funksionimin në këtë periudhë, të dhënat nuk mund të merren si bazë për të ndërtuar një linjë funksionale të këtyre viteve.

Nga disa dëshmi dhe komunikime që janë me agjencinë italiane ANSA, në arkivin e saj ruhen dokumente që flasin për funksionimin e ATSH për gjatë këtyre viteve si dhe buletine të ndryshme që paraqesin zhvillimet në vendin tonë. Kjo ndërprerje dëshmish nuk gjykojmë se ka ta bëjë edhe me ndërprerjen e punës së institucionit.

Fakti që në vitin 1945 përsëri në mënyrë institucionale për komunikimin mediatik, referencë është ATSH-ja, të bën të mendosh se institucioni si profil dhe si funksion është ruajtur dhe është në vazhdimësinë e tij.

ATSH 3Në krye të institucionit në vitin 1945 vihet Thanas Nano. Puna në ATSH e Thanas Nanos vijon për një periudhë të gjatë dhe institucioni vjen gjithnjë në rritje jo vetëm si personal, por edhe si veprimtari.

Edhe profili mediatik i institucionit ka një dimension që tregon profesionalizëm, pavarësisht se është përçues i drejtëpërdrejtë i sistemit dhe ideve të kohës. Rigoroz, i sertë, por i drejtë, Thanas Nano kontrollonte vetë pothuaj gjithshka që transmetohej, në mënyrë të veçantë lajmet që kishin karakter politik. Ishte ai që jepte nuancat e lajmit, po edhe të adresës së shpërndarjes së tij.

Buletinët me lajme të ATSH-së shpërndaheshin(1948) tek gazeta të ndryshme në vend, zyrtarë, institucione dhe njerëz që i përkisnin sferës së larte të shoqërisë. Nëse flasim për vitet 1948, buletinët i jepeshin krahas Enver Hoxhës edhe Omer Nishanit, Bedri Spahiut, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Kristo Themelkos etj. Po kështu veprohej edhe me institucionet si Ministria e Jashtme, Ministria e Tregtisë, Ministrinë e Bujqësisë etj. Këto buletine për udhëheqjen komuniste kishin një rëndësi të veçantë pasi merrnin informacion për zhvillimet globale por edhe për qëndrimet që mbaheshin ndaj politikës që ndiqte Shqipëria komuniste.

Në 1949, Drejtoria e Propangandës dhe Agjitacionit i dërgon një vendim Agjencisë Telegrafike mbi forcimin e rolit të saj në treg, vendim ky i marrë nga Komiteti Qendror.

Në dokumentet zyrtare të arkivit të shtetit thuhet se “Komiteti Qendror konstaton se ATSH-ja jep në përgjithësi një informacion të drejtë dhe të rregullt mbi zhvillimin e jetës brenda vendit. ATSH-ja informon gjithashtu në mënyrë të rregullt dhe të drejtë ngjarjet e jashtme, mbi problematikat e politikës ndërkombëtare”.

Për forcimin e aktivitetit që kryente ATSH-ja, Komiteti merr vendim që kësaj agjencie ti japë ekskluzivitetin e çdo aktiviteti politik, ekonomik, shoqëror që ndodhte në vend por edhe jashtë saj.
ATSH-ja të bëhet aktivisht organi kryesor i informacionit brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në vendimin e Komitetit Qendror.

Ky ishte një moment kyç për ecurinë e punës në ATSH dhe konfirmimin e statusit të veçantë në vend si kanali kryesor i komunikimit me opinionin publik.

Për këtë gjë, duhet bërë një organizim për grumbullimin dhe dhënien e informacionit ekskluzivisht mbi çështjet zyrtare te shtetit, mbi aktivitetin e organeve qendrore apo ngjarjeve politike e shoqërore në vend.

“Organet shtetnore dhe organizatat e masave të njohin rolin e atsh dhe ti japin kësaj të gjitha njoftimet e duhura mbi aktivitetin e tyre. Të evitohet sa më shumë në këtë drejtim paralelizmin me shtypin dhe sidomos mënjanimin e ATSH-së. Organet shtetnore në rradhe të parë, kryeministria, duhet të kujdeset dhe të tregojë konsideracionin e duhur për ATSH-në për ta ndihmuar atë në punën e saj dhe për të plotësuar të gjitha nevojat e saj materjale e teknike, në mënyrë që të mos ndërpresë asnjeherë aktivitetin e saj”, shkruhet më tej.

Falë këtij vendimi, ATSH kthehet në organ kryesor dhe burim i vetëm për të gjitha gazetat e vendit, për shtypin shqiptar dhe të huaj. Ajo merr formë të plotë, pasi lajmet nuk shpërndaheshin vetëm në organet e tjera të shtypit, por edhe në nëpër përfaqësi diplomatike e ambasada.

Me qëllimin stimulimin e punonjësve, iu propozua shtetit zbatimi i sistemit të pagesave të korrespondentëve, në bazë normash. Në të gjitha rrethet e vendit kishte korrespondentë të ATSH-së. Këtu përmendim Elbasanin, Durrësin, Vlorën, Beratin, Fierin etj. Edhe pse e sapo dalë nga lufta, vetë intitucioni i ATSH-së kishte rregullohen për funksionimin e institucionit , ku ishin të ndara të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë.

Në nenin 2 të dekretit nr.1960 të datës 9.10.1954 thuhet se “ Agjencia Telegrafike Shqiptare ngarkohet me detyrë të informojë mbi aktivitetin politik, ekonomik, kulturore dhe shoqërore që zhvillohet në të gjithë territorin e R.P-të Shqipërisë, të propagandojë në botën e jashtme politikën paqësore të qeverisë dhe sukseset që arrin populli shqiptar në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij. Të informojë shtypin, radion dhe organet e interesuara mbi ngjarjet ndërkombëtare dhe të popullarizojë me anën e fotografive brenda dhe jashtë vendit, punën që bën populli shqiptar për ndërtimin e bazave socialiste dhe për mbrojtjen e paqes”.

ATSH 12Përmes këtyre neneve, ATSH-së iu dha fuqia ligjore për të shërbyer si burimi i vetëm i informacionit në shtyp. Për kryerjen e këtyre detyrave, këtij institucioni i jepet mundësia për të lidhur marrëveshje me agjenci të huaja por edhe me organe shtypi të vendit. Me agjencinë krijohet edhe kolegjiumi , i përbërë nga Drejtori, zv/drejtori dhe përgjegjësit e sektorëve të ndryshëm të cilët merreshin në mënyrë të drejtëpërdrejtë për mbarëvajtjen e punë dhe trajtimin e problematikave që mund të lindnin.

Kolegjiumi me mbledhjet e rregullta bënte orientimin e redaksive mbi detyrat javore, mujore e tremujore në lidhje me problemet e ndryshme politike ekonomike, shoqërore duke bërë analiza edhe për performancën e punonjësve.

Vendimet që merreshin nga kolegjiumi duhet të zbatoheshin përndryshe kundërshtimet shkonin direkt për t’u raportuar në Këshillit të Ministrave.
Në arkivin e shtetit, në dosjen 7, të 1954 në një shkresë që ATSH-ja i dërgon sekretariatit të Komitetit Qendror flitet për një vendim mbi organizimin e pushtetit ku zyrtarisht nuk u komunikua bashkimi i ATSH-së-së me ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës por në fakt u bë ky bashkim.

Ne mendojmë se në parim ky bashkim nuk është i drejtë për arsye se Agjencitë e lajmeve janë zëdhënëse të qeverisë dhe jo të një dikasteri. Kështu është në Bashkimin Sovjetik si dhe në vendet e demokracisë popullore. Edhe pas masave që u morën në këto vende për riorganizimin e pushtetit, agjencitë e lajmeve mbetën ashtu sic ishin më përpara, pranë Këshillit të Ministrave duke u varur direkt prej tyre”, thuhet në shkresën zyrtare dërguar komitetit.

ATSH 9Në shkresën e kolegjiumit të ATSH-së thuhet se ka qënë e bashkuar me ministrinë e Arsimit.
Më tej sqarohet se “duke qënë e bashkuar me ministrinë e arsimit, ATSH-ja është duke u penguar në kryerjen e funksionimit të saj. Ajo nuk është e informuar mbi vendimet e qeverisë të cilat duhet të botohen në shtyp. Në raste ngjarjesh të rëndësishme, nuk vihet farë në dijeni ATSH-ja por Zëri i Popullit duke e mënjanuar nga funksioni i saj. Ne mendojmë se është e drejtë që ATSH të varet përsëri nga Këshilli i Ministrave dhe të përpilohet ligji mbi funksionimin dhe kompetencave për tu informuar më mirë mbi problemet shtetnore”.

Çështjet e parashtruara në shkresën pas mbledhjes së kolegjiumit, në arkivin e shtetit sipas dosjes 7, të 1955, që ATSH-ja i dërgon sekretariatit të Komitetit Qendror bën të mundur fillimin e procedurave për përpilimin e një ligji të ri për ATSH-në për njohjen e kompetencave të saj.

ATSH 11Përmirësimi i nivelit të gazetarëve, përkthyesve, teknikëve shihej në mënyrë të vazhdueshme si prioritet i këtij institucioni të rëndësishëm. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja e personelit të ATSH në mbledhje të ndryshme ndërkombëtare, ku mblidheshin agjenci gjithë nga bota. Ndryshe nga organe të tjera të shtypit, apo edhe institucionet e ndryshme, agjencia telegrafike kishte komunikim dhe ishte më e hapur me institucionet homologe, por edhe më e integruar në komunikimet me to.

Duke iu referuar dokumenteve shumë të paktë në numër që ekzistojnë në arkiv, konstatohet se pjesëmarrja në mbledhje të ndryshme ndërkombëtare për ATSH-në ishte një rrjedhë normale pune, ndërkohë që institucione të tjera e kishin shumë të kufizuar lëvizjen. Kështu, më 6 nëntor të 1955, u bë mbledhja e drejtorëve të agjencive telegrafike të vendeve të demokracive popullore, të cilën e organizonte agjencia Ruse, Tass. Kjo mbledhje u mbajt në Moskë. Të pranishëm në këtë konferencë ishin drejtuesit nga agjencitë e lajmeve të Gjermanisë, Koresë, Çekisë, Bullgarisë, Hungarisë, Kinës dhe Shqipërisë. Tematika e konferencës lidhej me përmirësimin e punës në drejtim në informacionit fotografik, problemeve teknike të agjencive apo të informacionit në përgjithësi. Pas kësaj experience ku agjencitë ndanë përvojat e tyre lidhur me shpejtësinë apo cilësinë e lajmeve, në ATSH iu kërkua punonjësve një qasje tjetër në shpërndarjen e lajmit telegrafik dhe një mënyrë tjetër e komunikimit me agjencitë homologe.

Rregullorja e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në vitin 1954 mban nr .7, ku në nenin 1 thuhet se “ATSH është krijuar në baze të dekretit nr. 1960, datë 9.11.1954 mbi Agjencinë Telegrafike Shqiptare”. Me këtë rregullore u krijua dhe kolegjiumi, që do të shërbente për të diskutuar problematika apo çështje që lidheshin me punën e përditshme në agjenci. Në projekt-vendimin e zyrës së Agjitacion Propagandës, të firmosur nga Nexhmije Hoxha thuhet se kjo agjenci duhet të përktheje plotësisht dhe në mënyrë të shpejt lajme nga agjencia TASS ndërsa nga agjencitë e tjera si PAP, CETEKA, MTI, AFP, ROJTER, ANSA,TANJUG vetëm ato lajme që janë të nevojshme. Duke i dhënë rëndësi të madhe propagandës për vendet e tjera, ky projekt-vendim do të kërkonte zgjerimin punës së laboratorit fotografik, si një mundësi për tu paraqitur jashtë vendit realitetin me “ngjyra” sikurse citohet tek ai dokument (fondi 510, viti 1955, dosja 2, fleta 2).
Vazhdimisht punohej për përmirësimin e punës në agjenci. Ndaj dilnin problematika nga më të ndryshmet duke nisur që nga mbulimi jo i plotë i tërë territorit. Po kështu, informacioni nuk përfshinte të gjitha sektorët apo gjendja teknike e cila sipas dokumenteve paraqitej jo e mirë për shkak të teknologjisë së vjetër. Për këto arsye, u propozua që të përktheheshin 150 faqe nga të gjitha agjencitë e huaja. Çdo faqe duhej të përgatitej për shtypin dhe radion brenda 20 minutave. Përkthyesit që kishin vetëm 1 vit pune eksperiencë duhet të përkthenin vetëm 10 faqe ndërsa ata me më shumë se dy vite duhet të përkthenin 15-18 faqe. Redaktorët e redaksisë së jashtme u vendos norma edhe me pagesë, për tejkalim norme do të paguheshin me faqe.

Në vitin 1959, programi i emisioneve të stacioneve jepet duke filluar nga 25 minuta transmetim deri në 4 orë transmetim. Kjo do të bënte të mundur që ATSH të ishte gjithnjë e më prezente në fushën e medias.

Pas një periudhe prej 14 vitesh nga drejtimi i këtij institucioni, Thanas Nano largohet për të shkuar në një detyrë tjetër dhe në krye të institucionit vjen Ajet Simixhiu, deri në atë kohë përgjegjës redaksie. “Me qënë se shoku Thanas Nano transferohet në një vend tjetër, të drejtën e firmës do ta ketë shoku Ajet Simixhiu i cili do të kryejë funksionin e titullarit të kësaj agjencie. E drejta e përdorimit të firmës do të fillojë nga 16 prilli”, thuhet në shkresën zyrtare që i drejtohet Bankës së Shqipërisë për depozitimin dhe të drejtën e firmës.

Ndryshimi i titullarit të institucionit nuk ndryshoi asgjë në politikën editoriale dhe as mënyrën e punës së funksionimit të ATSH-së. Ajo vijoi të mbetet qendra kryesore e shpërndarjes së lajmit për të gjitha mediat e tjera në vend, por normalisht edhe në marrëdhëniet me botën e jashtme.
Në këtë vit, thuhet se ATSH-ja jepte dy emisione në ditë për botën e jashtme. Emisioni jepej me mors (aparat për dhënin dhe marrjen e lajmeve) në radio-stacionin e Laprakës .Ky emision fillonte ne orën 10.00 dhe kishte mundësi transmetimi deri në orën 16.00. Emisioni i dytë jepej në radiostacionin (RTT) në Kashar. Emisioni fillonte në orën 18.oo dhe mbronte në orën 19.45. Në të dy emisionet lajmet jepeshin në dy gjuhë (frengjisht dhe anglisht) ndërkohë që transmetimet ishin me valë të shkurtra. Çdo muaj jepeshin mesatarisht 200 lajme dhe korrespondenca të ndryshme nga të cilat ¼ (40-45>) ishin më të veçanta të përgatitura për sukseset e vendit nga sektorë të ndryshëm ndërsa pjesa tjetër lajme të zakonshme. Për këtë ishte ngritur edhe një redaksi e veçantë.
Një pjesë e materialeve merreshin nga organet e shtypit si gazeta, revista, buletine etj. Nëpërmjet emisioneve të kësaj redaksie bëhej e mundur transmetimi i artikujve të botuara nga gazetat për problematika politike, ideologjike, sipas rastit tekstualisht ose në forma të përmbledhurazi. Kjo redaksi publikonte çdo ditë lajme në gjuhën frënge i cili në fakt ishte i vetmi burim i përditshëm dhe i rregullt mbi jetën e vendit, për përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë dhe për abonentët jashtë vendit.

Ishin disa agjenci të cilat kanë vlerësuar lajmet e ATSH-së, si ajo bullgare, çeko-sllovake, hungareze etj. Më ndërtimin e stacionit të ri në Shijak, u mor autorizimi për transmetimin me dy valë në mënyrë të menjëhershme, duke përdorur dy antena në drejtime te ndryshme në të njëjtën kohë. Ndaj u shtuan edhe 3 emisione te tjera. Po kështu, u kërkua që të ktheheshin transmetimet nga mors në RTT, pasi agjencitë e huaja nuk merrnin më lajme me mors dhe kjo vështirësonte punën. Pra, ndërsa teknologjia zhvillohej, agjencitë e huaja të lajmeve ishin të parat që operonin me ndryshimet.

Në 1960, Ajet Simixhiu autorizohet të marrë pjesë në mbledhjen e drejtorëve të Agjencive Telegrafike të vendeve Socialiste, që do të zhvillohej në 20 shtator në Sofje. Nuk ishte rasti i parë ky që drejtuesit e agjencisë merrnin pjesë në veprimtari ndërkombëtare. Lidhje kjo me rëndësinë që i jepej komunikimit nëpërmjet agjencisë dhe rolit të veçantë që kishte ajo.

Në një relacion të viteve 1961, thuhej se duhej punuar ende më shumë për profesionalizmin e stafit. Kishte gazetarë e përkthyes që ndiqnin shkollën e lartë ndërkohë që punonin në ATSH. Me një vendim të datës 15 korrik të këtij viti, vendim ky që mban numrin 222, nga Këshilli i Ministrave, nënvizohej se duhej të përmirësohej propaganda për botën e jashtme, nga ana e Radio-Tiranës dhe ATSH-së.
Pra, çështja e imazhit në arenën ndërkombëtare u pa element mjaft i rëndësishëm për vendin, që në vitet e para të funksionit të agjencisë së lajmeve. Për këtë arsye u kërkua që RTSH dhe ATSH, të cilësuara si dy organe kryesore shtypi , të përdornin mënyra të ndryshme propagandimi. Për t’i ardhur në ndihmë, u krijuan 3 nënredaksi, njëra për vendet e Europës dhe Amerikës, vendet fqinje dhe shqiptarët jashtë atdheut. Në vijim, me hyrjen në punë edhe të radiostacioneve të reja si i Shijakut, u kërkua që të zgjerohej gama e emisioneve në gjuhë të huaja dhe të krijohej nënredaksia e specializuar, ku radio Tirana dhe ATSH të ecnin drejtë një perspektive në planin profesional përkthyes-redaktor.
Vonesa në informacion shihej në këto vite si lufta më e madhe e këtij organi kryesor në shtyp, duke bërë përpjekje konkrete në ndihmë të saj. Vit pas viti u kërkua shtimi i punonjësve në organikën e ATSH-së për të përmbushur kërkesat e tregut. Gjithçka ishte e programuar në këto vite, tematikat, aspektet, koha kur do të shkruheshin artikujt, personazhet që do të trajtoheshin. Të gjitha ishin të përcaktuara qartë. Çdo muaj përcaktoheshin problematikat dhe temat që do trajtoheshin, si rubrikat e javës, aktualiteti, intervista apo qoftë dhe kontaktet e reja që krijonin korrespondentët gjatë punës së tyre. Kështu, në një nga mbledhjet e kolegjiumit që mbaheshin për të diskutuar ecurinë e punës, u nënvizua se në dy muaj e 18 ditë ishin publikuar 1976 lajme, që i bie mesatarisht 25 lajme në ditë pa llogaritur ato që jepeshin në shtyp jashtë buletinëve. Ndërkohë që regjistroheshin 15-20 agjenci telegrafike , mesatarisht redaksia botonte 100-120 faqe buletin ne ditë.

Synimi ishte që ATSH-ja , të kthehej në një agjenci me karakter ndërkombëtar ndaj edhe lajmet e redaksisë së jashtme kishin përparësi. Në 1964 u propozua ngritja urgjente e redaksisë qendrore të verifikimit ç’ka do të sillte më pas edhe krijimin e kartotekës ndërkombëtare (ku do jepeshin fakte, fjalime, deklarata liderësh në botë etj), biokartoteka (udheheqës ) dhe kartoteka e brendshme( klasifikim materialesh, buletine të ATSH-së në të gjithë shtypin, revista, fakte të ndryshme). Përveç shtypit të vendeve socialiste do të mblidheshin edhe materiale nga shtypi në Jugosllavi, Itali, Greqi e Turqi. Ndaj u krijua edhe një fond i veçantë që do u vinte në ndihmë shpenzimeve që nevojiteshin për përkthimin e artikujve nga shtypi i huaj ku do të angazhoheshin 6 veta redaktorë-përkthyes për të realizuar këto detyra. Në fakt, kjo kartotekë do të shërbente për shumë vite si pikë referimi për politikanë, gazetarë, analistë, një pasuri e madhe, ku kishte pafund informacione që konsideroheshin sekrete dhe bënin pjesë tek politika e jashtme.

Disa vite më parë edhe sipas një vendimi të firmosur nga Hysni Kapo, në atë kohë sekretar i Komiteti Qendror , u kërkua shtim personeli për redaksinë e jashtme.

Data 21 mars i vitit 1964, sjell edhe një tjetër vendim të rëndësishëm që vlerëson punën e ATSH-së. Është pikërisht vendimi sekret nr.75 i Komitetit Qendror, ç’ka nënvizon forcimin e karakterit kombëtar të kësaj agjencie.

ATSH duke u mbështetur në vendimet dhe direktivat e Komitetit Qendror të Partisë, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në informimin në kohë, të drejtë të popullit tonë, mbi ngjarje të rëndësishme, mbi sukseset e masat e punonjësve në të gjithë sektorët e ndërtimit socialist si dhe propagandimit jashtë shtetit të politikës së partisë e qeverisë sonë”, thuhej në vendimin sekret. Si pikë kulmore e këtij vendimi jepet në fjalinë “… ATSH ka arritur suksese të kënaqshme lidhur me forcimin e karakterit te saj kombëtar”. Për këtë arsye ATSH-ja u autorizua për të shtuar emisionet e saj për botën e jashtme dhe transmetimin në të njëjtën kohe me dy stacione dhe dy lloj antenash, me qëllim që të sigurohej dëgjimi si në vendet e largëta ashtu edhe në ato të afërta.

Në 28 shkurt të 1964, nëpërmjet agjencisë kineze HSINHUA, pranë radiostacionit të Shijakut do të instalohej një rrjet i fuqishëm antenash të drejtuara si për nevojat e radios me zë ashtu edhe për nevojat e transmetimit të lajmeve për distanca të afërta apo të largëta. Procesi i instalimit të këtyre antenave u realizua në një kohë rekord dhe me 15 qershor të këtij viti lidhet kontrata me degën e radiostacioneve e cila ishte në varësi të radiotelevizionit shqiptar. Për shkak të zgjerimit që po merrte çdo e ditë, qoftë në aspektin publicistik apo në teknikën e përdorur, ambasada shqiptare në Paris njoftoi në 1965 ngritjen e një qendre për regjistrimin e lajmeve jo vetëm të frankofonisë, por kudo ku mundësitë ishin që të sigurohej informacion si dhe të shpërndahej ai. Kjo qendër u krijua mbi bazën e një vendimi të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë, nr.38 , për të forcuar propagandën jashtë vendit. Por, përveçse kjo qendër zgjeronte dhe i jepte hov zhvillimit të ATSH-se, ajo ç’ka ishte interesante në këtë vendim ishte që parashikonte ngritjen edhe te qendrave te tjera te transmetimit në Pekin, Algjeri e Havanë etj.

Revista mujore që do të dilte nga qendra e Parisit mbante emrin “Information Albanies”, ishte në dy gjuhë , përkatësisht anglisht e frëngjisht. Revista përmbante 32 faqe , por numri i kopjeve ishte i kufizuar. Ndodhte kështu se të kufizuara ishin edhe interesat e mediave perëndimorë për lajmet që vinin nga Shqipëria, pasi ato dihej që ishin shumë të instrumentalizuara, të realizuara nga këndvështrimi komunist dhe që flisnin për suksese që e zbehnin kuriozitetin duke qënë larg së vërtetës.
Shqipëria në këto kohë ishte nën regjimin komunist dhe si e tillë agjencia ishte një gjymtyrë e rëndësishme e sistemit. Në vitin 1961, në dosjen 5, në një artikull të shkruar nga një gazetar u tërhoq vëmendja për shkak se ai kishte nxjerre në fotografi një grua me emrin Zina Vokrri, e cila vinte nga një familje kulakësh dhe burri i saj punonte jashtë vendit. Në fakt, foto-reporteri nuk ishte ne dijeni të këtij fakti, thuhet në dokumentin e arkivit të shtetit. Kështu , që foto-reporterit iu tërhoq vëmendja në punë. Pra, kjo do të thotë që çdo gjë që dilte në ATSH kontrollohej nga instancat më të larta. Jo vetëm kaq, por censura ndaj lajmit apo fotos më të thjeshtë ishte shumë e madhe dhe puna kryhej edhe nën këtë trysni, që përbënte një makth më vete për të gjithë, duke filluar që nga drejtuesi më i lartë. Botimi i një fotoje apo lajmi që kishte personazhe jashtë shijeve të sistemit komunist, apo sic konsideroheshin atëherë me “biografi të keqe “ mund të kushtonte vendin e punës, por ka ndodhur që pasojat të ishin edhe më të rënda. Ne sollëm një fakt të thjeshtë, por të tilla ndesh jo vetëm në historikun e këtij institucioni gjatë periudhës 1945 deri më 1990 .

ATSH-ja në vitet 1965 operonte me sistemin e transmetimeve me mors me një shpejtësi që varionte nga 110 deri në 170 germa për minutë, ndërsa transmetimi me teletajp që do të futej më vonë ishte më i shpejtë. Teletajpët kishin shpejtësi transmetimi deri në 428 germa në minutë. Zakonisht emisionet e paradites i merrte nga Franca, Anglia, vendet e Europes Veriore e Qendrore, ndërsa nga vendet Ballkanit nuk i merrnin dot plotësisht. Megjithatë, në këtë institucion punohej orar pa orar( për shembull parashikoheshin 125 tema dhe bëheshin 180 tema). Prandaj, u kërkua zgjerimi i këtij organi shtypi, duke ngritur një qendër marrje në Paris. Dokumenti me numër protokolli 1.226 jepte informacione mbi sigurimin e aparaturës për qendrën e marrjes në Paris, që në fakt nuk ju dha fond për aparaturën por ambasada shqiptare në Paris, siguroi përmes mundësive të saj, për këtë qendër.

“Lidhur me projektvendimin dhe relacionin përkatës që i keni paraqitur këtij komisioni për sigurimin e aparaturës për qendrën e marrjes ju njoftojmë si vijon: fonde të reja për të importuar në vitin 1965 aparatura të kërkuara nga ana juaj nuk ka”. Megjithatë aparatura siç thamë edhe më sipër, u sigurua, ambasada shqiptare në Paris kryente mirëfilli punën e një ‘agjencie të vogël lajmesh’ dhe i shpërndante lajmet që i vinin nga Shqipëria. Kjo ishte ndofta puna më e rëndësishme që zinte kohën e diplomatëve shqiptarë .

Në relacionin mbi ngritjen e qendrës së marrjes së lajmeve pranë Ambasadës Shqiptare në Paris thuhej se: “Ambasada jonë në Paris njoftoi kohët e fundit se i ka aparaturat e nevojshme për ngritjen e një qendre për regjistrimin e lajmeve. Kjo qendër e cila krijohet në baze të vendimit të Byrosë Politike te Komitetit Qendror të Partisë, nr. 38 dt.10.2.1965 “ mbi disa masa për forcimin e luftës kundër propagandës së armikut dhe forcimin e propagandës në botën e jashtme” do të shërbejë për regjistrimin e materialeve që transmeton çdo ditë agjencia telegrafike shqiptare në gjuhët frengjisht, anglisht. Mbi bazën e këtyre materialeve, ambasada do të përgatisë një buletin të përditshëm ose një herë në dy ditë, do ta shpërndajë sipas nevojave të rastit në adresa të ndryshme në Paris, në qytete të tjera të Francës si dhe në vende të tjera.(dosja 3).

Pas ngritjes së kësaj qendre, në bazë të vendimit nr.38 të datës 10 nëntor të 1965, ATSH-së iu ngarkua detyra që të botonte një herë në muaj një revistë me titull “Informative Albanies” përkatësisht në gjuhën frënge e angleze, e cila do të shpërndahej në Francë, në institucione apo persona te rëndësishëm në sferën politike apo sociale. Revista parashikohej të dilte me 32 faqe dhe do të ishin 5 persona që do të punonin për këtë revistë ndërsa numri i kopjeve shkonte në 260.

Fondi për këtë qendër ishte 20.000 rubla të reja për blerjen e aparaturave.

Mbi bazën e kësaj experience në Paris, Byroja Politike kërkonte që të ngriheshin edhe qendra te tjera regjistrimi të lajmeve, pranë përfaqësive diplomatike në Pekin, Havanë, Algjeri etj.
Në këtë vit, ishte duke u punuar për ndërtimin e një qendre të re radio-telegrafike në Kamëz. Qendra po ndërtohej me ndihmën kineze sipas kërkesave teknike të kohës, duke përfshirë një sistem të plotë antenash. Deri në këtë kohë në ndihmë të transmetimeve ishte stacioni i Laprakës, stacioni i Kasharit, ndërkohë që agjencia e lajmeve kineze HSINHUA kishte dhënë mbështetjen për ndërtimin pranë radio stacionit të Shijakut, të një sërë antenash që do ti vinin në ndihmë si nevojave të radios me zë ashtu edhe nevojave të transmetimeve të lajmeve në distanca të largëta.
Sipas një dokumenti sekret me nr.186 me datë 10 maj 1967, kjo qendër radiomarrëse e Kamzës kalon në varësinë e ATSH-së.

“Qendra radiomarrëse në Kamëz, në bazë të urdhërit nr.217, dt 22.12.1966 kalon në varësi të ATSH-së”, citohet në dosjen 3, 1967, pranë arkivit të shtetit.

Punohej dhe kërkohej ende më shumë por në thelb të vendimeve politike ishte propaganda ideologjike. Për këtë investohej shumë, fakt që e tregojnë edhe shifrat për botimet ideologjike që botoheshin.
Materialet ideologjike të partisë botoheshin në 6-8 gjuhë të huaja me një tirazh të përgjithshëm 35.500 kopje në vitin 1966 ndërkohe qe në 1964 ishin vetëm 18.000 kopje. Sipas të dhënave dhe një relacioni të lëshuar për një periudhë kohore janar 1966-maj 1967 rezultonin të botuara 148 botime ideologjike me 11.922 faqe dhe 13 tituj të botimeve propagandistike letrare me 1.600 faqe. Ndërkohë, ministria e Punëve të Jashtme, nxirrte 8 herë në vit, një buletin informative në 9 gjuhë me lajme nga vendi. Ndërsa revista “Shqipëria e Re” botohej në 6 gjuhë, mes tyre edhe gjuha kineze, ndërkohë që agjencia kërkoi të fuste gjuhën spanjishte dhe gjermanishte në përkthim. Sipas një vendimi që do hynte në fuqi në 1 janar 1971, puna organizohej në disa sektorë. Meqenëse volumi i punës ishte rritur dhe çdo gjë kërkohej të kontrollohej me imtësi, u vendos që institucioni të kishte edhe një zëvendësdrejtor të përgjithshëm . ATSH-ja kishte redaksinë e brendshme, redaksinë për botën e jashtme, redaksinë e marrjes së lajmeve, redaksinë e lajmeve të jashtme, zyrën e verifikimit të informacionit, laboratorin fotografik dhe së fundmi edhe zyrën e kuadrit dhe administratës.

Në një relacion të vitit 1971, thuhet se përmirësimi i shërbimit informativ qëndronte në krye. Kështu , prej 28 agjencive telegrafike, ATSH-ja merte rreth 2000 lajme në 24 orë. Këto lajme duhej të lexoheshin e më pas të përpunoheshin. Me këtë punë voluminoze, punohej me dy turne nga përkthyes, redaktorë, komentatorë e përgjegjës. Po të bëhet një përpjestim i thjeshtë, secilit i takonte të lexonte çdo ditë mbi 200 lajme e të përgatiste 22 faqe materiale me lajme të përkthyera, të përmbledhura dhe lajme të përpunuara e komente nga shtypi e radio. Si çështje kryesore shiheshin ngjarjet politike ndërsa si detyrë e rëndësishme ishte informimi i shpejtë e në mënyrë sistematike. Në dosjen 7, të vitit 1971, faqe 3, në një relacion mbi punën e ATSH-së citohet se “është fakt që interesimi i botës së jashtme për vendin tonë dhe politikën e partisë rritet vazhdimisht. ATSH është përpjekur t’i përgjigjet këtij interesimi”.

Destinacioni i lajmeve ishin partitë komuniste dhe grupet marksist –leniniste, po edhe gazetat e tyre, dhe në atë këndvështrim që ata ishin të brumosur , këto informacione paraqisnin interes.
Në mbështetje të këtij fakti vijnë komente nga gazeta të huaja të cilat vlerësojnë punën që bëhej në këtë institucion, nisur jo vetëm nga përmbajtja dhe cilësia e lajmeve por edhe nga propaganda ideologjike. Kështu, në 1973 në faqen 5 të dosjes numër 7, në paragrafin e parë jepen komente nga agjenci të huaja. Ndër letrat të ardhura në ATSH, P.Tissier nga Parisi shkruan ndër të tjera: “A mund të më dërgoni buletinin tuaj të informacionit sepse interesohem për analizat marksiste-leniniste që ju bëni, mbi eksperiencën e ndërtimit socialist në Shqipëri si lufta kundër revizionizmit modern, mbi situatën ndërkombëtare”. Mandej, Stig Dahlsten nga Helsinki shkruan se “ kohët e fundit pata rastin të bie në kontakt me buletinet e ATSH-së. Ishte shumë i këndshëm. Lajme të këtij lloji më nevojiten në luftën kundër imperializmit dhe veçanërisht kundër social-imperializmit. Kjo është arsyeja pse dëshirojmë buletinin tuaj”.

Redaksia e gazetës kanadeze “People Canada Daily News” në një nga letrat e saj dërguar ATSH-së shkruan “ buletinin tuaj të lajmeve ne e konsiderojmë si shumë të nevojshëm në punën tonë të përditshme, për botimin e gazetës. Është shumë e rëndësishme pikëpamja e propagandës në të gjitha qarqet e Amerikës së Veriut dhe pjesës tjetër të botës. Buletini juaj i lajmeve është burim shumë i mirë i informacioneve dhe u shërben nevojave tona revolucionare”. Edhe nga shteti Danimarkës, Henning Christiano shkruan se “buletini juaj i përditshëm është një ndihmë shumë e madhe për organizatën tonë komuniste”.

Po kështu edhe shoqata e miqësisë Italo- Shqiptare, një herë në muaj nxirrte një buletin ku merte lajme nga ATSH-ja. “Notizie dal Albania”-dal buletinno della agenzia telegrafica albaneze (ATA). Një gazetar londinez shkruan:
“Ju meritoni përshëndetje për formatin e ri të bukur të buletinit të ATSH-së. Si një gazetar aktiv, personalisht jam shumë i kënaqur për faqen e re përmbledhëse që keni shtuar në buletinet tuaj. Ajo me jep një ide të shpejtë për përmbajtjen dhe më prezanton me artikuj që më interesojnë më tepër. Në emër të njerëzve përparimtarë ju uroj sukses të plotë në misionin tuaj heroik”. Edhe Rolf Hassen nga Kieli në emër të “Rot Front” shkruan se “jemi shumë entuziastë për faktin që ju botoni buletinwt në anglisht dhe frëngjisht. Ky material na ndihmon shumë”.

Duke qënë se rrethi i të interesuarve, por edhe të atyre grupeve që kishin lidhje me Shqipërinë në planin ideologjik konsiderohej i rëndësishëm, vëmendja për një propagandë sa më të zgjeruar e të fokusuar drejt tyre rritej së bashku edhe me investimet.

Nga ana e saj, ATSH përpiqej të ishte në një funksion sa më të plotë në të gjitha planet . Shpejtësia e transmetimit dhe mënyra e përgjegjshme e të punuarit nënkuptonte punën në këtë institucion. Kështu, në vend të 4 orëve që kishte transmetuar para viteve ’60 me mors, tanimë transmeton me teletajp 16 orë në dite, ku ndaheshin 8 emisione në drejtime të ndryshme. Përveç kësaj, në këto vite botoheshin edhe 2 buletine (1 frëngjisht dhe 1 anglisht) nga 1 buletin që nxirrte më parë. Ndaj, përgjatë tërë historisë së zhvillimit të kësaj agjencie, gjithmonë u pa mundësia sesi të forcohej karakteri i dedikuar për informacione jashtë vendit. Kështu në vitin 1971 u krijuar redaksia e përpunimit të shtypit, një profil i specializuar i materialeve që botoheshin.

Ndërkohë vijonte puna për forcimin e rolit të shtypit në përfaqësitë tona diplomatike. Pas qendrës së transmetimit në Paris, u hap një tjetër qendër në Vjenë, pra nëndege e ATSH-së. Qendra në Vjenë nisi funksionimin e saj më datën 14 mars 1978 . Më 16 mars u nxor buletini i parë, në gjuhën frënge në 30 kopje, të cilat u shpërndanë në organet kryesore të shtypit në Vjenë si dhe në agjencinë austriake të lajmeve (APA). Një ditë më vonë, buletinet u nxorën në dy gjuhë, përkatësisht 80 kopje në anglisht dhe 50 në frëngjisht. U kërkua nga qendra e Vienës që zarfat që dërgoheshin me buletine të ishin më të vegjël në format por më e rëndësishmja të mbanin logon ATA sipër (dmth Albanian Telegraphic Agency).

Brenda një kohe të shkurtër, numri i kopjeve të buletineve u dyfishua e u trefishua, pasi pati interes nga pala austriake, në lidhje me ngjarjet dhe veprimtarinë e shtetit shqiptar, që në këtë kohë udhëhiqej nga Enver Hoxha. Këndvështrimi se si i trajtonte ngjarjet në vend, një agjenci lajmesh brenda sistemit komunist, përbënte jo thjesht një kuriozitet për shtypin austriak, por edhe një burim reference . Pikërisht parë në këtë plan nga ana e tyre kishte vëmendje për lajmet që botonte ATSH .

Më 21 korrik të 1978, drejtorit të ATSH-së i vjen një ftesë nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Austriake (APA) Andrea Berghold, për të marrë pjesë në konferencën e agjencive euro-arabe të lajmeve, që do të mblidhej në Vienë në 23-24 tetor të po të njëjtit vit. Në krye të ATSH-së ishte Arqile Aleksi. Marrëveshja mes ATSH-së dhe APA (Agjencia Austriake e Lajmeve) ishte nënshkruar më herët, në 12 tetor 1972. Mes agjencive shkëmbeheshin lajme. Por për Evropën, APA përbënte një nga tre qendrat shpërndarëse të lajmeve nëpërmjet kabllove.

Të gjitha bashkëpunimet me agjencitë e huaja, synim kishin propagandën për botën e jashtme. Prandaj, ATSH propozoi disa masa për të përmirësuar punën. Sipas të dhënave nga viti 1978, dosja 5 faqja e dytë, ATSH transmetonte në ditë 8 emisione : 4 në frëngjisht dhe 4 në anglisht), gjithsej 16 orë në ditë, në drejtime të ndryshme të botës si : Europë, Ballkan, Lindje e Largët, Afrikë dhe Amerikë Latine. Për kohën, kaq shumë orë transmetimi nënkuptonte punë e madhe dhe vlerë edhe për agjencitë e huaja. Në këtë vit figuronin ne organikë 168 punonjës.

Në 1978, ATSH zhvendoset në godinën e ndërtuar për agjencinë kineze XINHUA .

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës pësuan në vitin 1977 një krisje të madhe dhe kjo bëri që shumë projekte të ngriheshin dhe vendi të shkonte drejt një izolimi të madh . Pikërisht në këtë sfond, kur niveli i marrëdhënieve ra, u rishikuan të gjitha raportet e marrëdhënieve me Kinën dhe niveli i komunikimit midis dy vendeve u ul shumë. Duke u tërhequr nga projekte që kërkonin angazhim të madh, kinezët u tërhoqën edhe nga ngritja në Shqipëri e një qendre të madhe të XINHUA-së , dhe për rrjedhojë edhe nga shfrytëzimi i ndërtesës ndërtuar për këtë qëllim. Në dosjen 24, faqa 2 në shkresën drejtuar zyrës së shërbimit diplomatik thuhet se: “ godina e XINHUA-së me vendim të Këshillit të Ministrave nr, 2243, datë 7 shtator 1978 kalon në pronësi të ATSH-së.

Drejtori Arqile Aleski, për çdo kontrate që mund të nënshkruhej me agjenci të huaja, për dijeni i drejtohej ministrisë së Punëve të Jashtme ndërsa miratimi bëhej nga Këshilli i Ministrave. Kështu, marrëveshja tjetër e realizuar ishte mes ATSH dhe Agjencisë Telegrafike Turke “Anadoll Ajansi”, më 5 tetor të 1979. Më tej, u vijua me nënshkrimin e marrëveshjes me Agjencisë Greke të Lajmeve (ANA), më 19 tetor 1979. Më pas me Agjencinë e Lajmeve të Lindjes së Mesme (MENA), me Agjencinë Suedeze të lajmeve për gazetat (TT), me Agjencinë e Lajmeve të Zambias (Zana), të Zimbabves (Interafriakan news agency) dhe Agjencisë e Lajmeve të Tanzanisë (Shihata), me Agjencisë Italiane (ANSA) , me Agjencinë e Burkina Fasos e të tjerë.

Në këto vite për marrjen dhe dhënien e lajmeve ATSH-ja përdorte radiotrasmetuesit (Cërrik) dhe radiomarrësat (Kamëz). Agjencitë nga të cilat merreshin lajmet ishin : AFP (Francë) në gjuhën frenge dhe angleze, AP(SHBA), Tanjug (Jugosllavi) anglisht e serbisht, Rojter (Angli), TASS (Bashkimi Sovjetik) në rusisht dhe anglisht, XINHUA (Kinë), RAP (Poloni), AND (RD . Gjermane), Agerpress (Rumani), Ansa (Itali), BTA (Bullgari), CETEKA ( Cekosllovaki), DPA (RFG gjermane), VNA (Vietnam), MENA (Egjipt), GIGI PRESS (Japoni), AA(Turqi), PRENSA LATINA(Kube), MTI (Hungari), IRNA (Iran) dhe APS (Algjeri). Në transmetimin e lajmeve për botën e jashtme, ATSH përdorte emisionin e saj të përditshëm më atë të radio-transmetuesve, ku transmetimet e saj ishin të drejtim të Evropës Perëndimore, Evropës Veriorë, Ballkanit, Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme, Lindjes së Largët dhe Amerikës Latine. Nga informacionet që kishte ATSH-ja në këto vite, rezultonte se emisionet regjistroheshin nga shumë agjenci si ANSA, AND, CETEKA, BTA, APS etj. Sipas një relacioni, qendra e Vjenës luajti një rol të veçantë në promovimin e institucionit të ATSH-së duke mundësuar shpërndarjen e lajmeve edhe në adresë të shumë gazetarëve dhe institucioneve mediatike të huaja.

Në shpërndarjen e lajmeve, një ndikim të ndjeshëm pati edhe futja e teletekstit. Kështu gjatë punimeve të kongresit të 8-të të PPSH si dhe në rastet e artikujve të rëndësishëm të “Zërit të Popullit”, dhënia me teletekst e materialeve të agjencive ANSA, IRNA, AA e APS, solli reagime të menjëhershme dhe pozitive.

Teleteksti po ashtu ishte përdorur edhe për dhënien e lajmeve dhe gazetës së partisë komuniste të Brazilit. Ndërkohë në botë, krahas transmetimeve me anë të radios, të cilën e përdorte ATSH-ja, përdoreshin edhe rrjete kabllore ku përfshiheshin ato të teletekstit, simpleks, dupleks me linja fikse, multipleks me anë të satelitëve. Kryesisht midis vendeve evropiane përdoreshin lidhjet me anë të rrjetit kabllor duke përdor multipleksin dhe skandpleksin. Në lidhjen edhe shkëmbimin e lajmeve midis vendeve të largëta një përdorim të gjërë kishte ndërlidhja me anë të satelitëve.

Një rëndësi e madhe në këto vite iu dha edhe shkëmbimit të lajmeve midis agjencive evropiane dhe atyre të vendeve arabe. Për këtë ishin zhvilluar tre konferenca. Një ndër të cilat ishte edhe konferenca e Londrës në 1984 e cila vendosi që të ngrihej në Vjenë qendra e shkëmbimit të lajmeve midis vendeve arabe dhe atyre evropiane. Kjo qendër kishte si qëllim që të grumbullonte lajmet e agjencive arabe dhe t’i jepte këto të fundit për agjencitë europiane . Ishte interesant fakti që agjencitë e vogla nuk shkëmbenin lajme midis njëra-tjetrës por zakonisht informacioni merrej nga agjencitë e mëdha, ku këto i ndërtonin mbështetur mbi platformat e tyre editoriale. Një praktikë e tillë ndiqet edhe sot dhe çdo lajm mbështetet mbi bazën e platformave që ndjek secila agjenci.

Duke parë që komunikimi me agjencitë e huaja ishte efektiv dhe kishte interes, nënshkrimi i marrëveshjeve me agjencitë e huaja u konsiderua si një drejtim i rëndësishëm për të zgjeruar komunikimin e shkëmbimin e lajmeve në botë. Nënshkrimi i marrëveshjes me ANSA të Romës, u konsiderua nga drejtuesit e ATSH-së si mundësi për shkëmbim lajmesh, ku përmes shërbimit IPS, informacionet nga Shqipëria transmetoheshin  edhe për vende si Suedi, Norvegji, Danimarkë, Finlandë, Hollandë, Belgjikë të cilat nuk merrnin dot emisionet e ATSH-së në këtë kohë, pasi nuk përdornin radio-marrësat.

Nga ana tjetër, lidhja me Italinë gjithmonë ishte parë me prioritet për ATSH-në. Ndaj mendohej të vendosej një linjë direkte ATSH-ANSA e cila fillimisht do të shërbente për shkëmbim lajmesh, ndërsa në të ardhmen do të përdorej edhe për marrjen e lajmeve të agjencive të tjera si AFP, DPA e ndonjë tjetër. Ndërsa agjencia AFP konsiderohej si një nga agjencitë më në zë në botë dhe marrëdhëniet me të u konsideruan prioritare.

Më 1 janar të 1985, agjencia e lajmeve angleze “Rojter” ndërpret transmetimet e saj me anë të radiove për pasojë edhe me ATSH-në. Shkak për këtë ndërprerje u bë fakti se shpërndarja e lajmeve nga Rojter-i do bëhej përmes kabllove. Nëse ATSH do të ishte e interesuar, ajo do të mund të merrte lajmet përmes kabllove që lidheshin me qendrën e Athinës, kundrejt pagesës. Më herët kishte ndërprerë transmetimet agjencia amerikane UPI më 1 nëntor 1980, më 4 tetor 1985 agjencia amerikane AS. PRESS. Gjithashtu më 1 korrik 1984 agjencia franceze AFP kishte ndërprerë transmetimet për Lindjen e Largët. Kështu në vitin 1988, ATSH-ja regjistronte vetëm transmetimet e AFP-së që shkonin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën. Prandaj u propozua që të merreshin transmetimet e AFP-së nëpërmjet kabllove nga qendrat ne Romë ose Athinë. Për këtë nevojitej një buxhet prej 2000 dollarë në vit.

Për të forcuar marrëdhëniet me Italinë por edhe teknikën që përdorej në agjencinë e lajmeve në vend, një delegacion nga ky institucion vizitoi Agjencinë ANSA, me qëllim njohjen e teknikave, aparaturat që përdoreshin dhe mënyrat e shkëmbit të lajmeve me agjencitë e tjera. Po kështu, u pa e nevojshme pjesëmarrja e ATSH-së në mbledhjet e Aleancës Evropiane të Shtypit, e cila siç ishte përcaktuar në statusin e saj: “Është një shoqatë e formuar me qëllim që të vendosë bashkëpunim teknik dhe dhe profesional midis anëtarëve të saj”. Kjo aleancë mbledhjen e zhvillonte një herë në vit në Zyrih të Zvicrës dhe anëtarë të saj, ishin të gjitha agjencitë përveç ATSH-së. Prania e Shqipërisë u konsiderua si një mundësi për të përmirësuar punën, për shkak të teknikave të reja që aplikoheshin nëpër vende të tjera, shkëmbimit të përvojave dhe zgjerimit të mundësive për komunikim. Drejtori i ATSH-së në këtë periudhë, Taqo Zoto këmbënguli që Shqipëria duhej të ishte pjesë e këtyre forumeve dhe argumentoi dobinë e pjesëmarrjes në të tilla samite.

Taqo Zoto drejtoi agjencinë e lajmeve deri në periudhën e ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte në këtë institucion ai brenda mundësive të kohës përpiqej të krijonte sa më shumë lidhje me agjencitë e huaja. Normalisht që e gjitha kjo kalonte përmes miratimeve të shumta, por Zoto e dinte që duhej këmbëngulur në këtë drejtim. Edhe në mbledhjet e Qeverisë kur merrte pjesë ( dhe përgjithësisht drejtori i ATSH prej kohësh i ndiqte këto mbledhje) ngrinte herë pas here probleme qe lidheshin me një funksionim më dinamik e në përshtatje me kohën për institucionin që drejtonte.

ATSH-ja pas viteve ’90

ATSH para viteve ’90 ishte si një bunker ku ruhej nga të gjitha cepat me policë të armatosur. Në disa salla nuk lejohej të hynin as gazetarët por vetëm persona të autorizuar.

Por bunkerizimit fizik i shtohej edhe ai informativ. Nga jashtë ajo ngjante me një institucion që dinte shumë gjëra që njerëzit e thjeshtë nuk kishin mundësi t ‘i mësonin dhe vetëm udhëheqja e lartë e kishte këtë privilegj. Në të vërtetë, në ATSH prodhoheshin tre buletine të cilat kishin destinacione të përcaktuara. Njeri buletin shkonte për Byronë Politike, një tjetër për anëtarët e Komitetit Qendror dhe kryeredaktorët e gazetave qendrore, një buletin në numër më i madh për gazetat e radiot lokale, korrespondentët e këtij institucioni në rrethe e njerëz të këtij formati.

Buletini i parë ishte i paredaktuar, ashtu siç merrej nga agjencitë e huaja, kurse dy të tjerët ishin me redaktime që vinin në progresion sipas rëndësisë së adresës ku shkonin.
Ndryshimi ndërmjet lajmeve të centralizuara në kohën e periudhës komuniste dhe kalimi në lirinë e shprehjes gjatë periudhës së tranzicionit demokratik sigurisht është i madh.

Periudha pas 1990 solli ndryshime në ATSH. Censura ndaj lajmeve të jashtme u hoq dhe sot( në 2017) faqja është e hapur e mjaft atraktive. Normalisht në bazë të transmetimeve qëndrojnë konceptet dhe platformat editoriale që ka çdo agjenci të mbështetura mbi parimet bazë të lirisë së informacionit, parimeve etike dhe interesit publik, sa edhe qeveritë e pas viteve ’90 nuk mundën të kufizonin transmetimin e lajmeve.

Pas viteve 1990 u shkëput lidhja me radio ku merreshin lajmet me teleshkruesa duke kaluar në sistemin me kabëll, duke krijuar hapësirën e transmetimeve me satelit.

ATSH në vitet 1980 kishte marrëveshje me EPA, Agjencia Europiane e Lajmeve. Përmes marrëveshjes, ATSH jepte foto nga zhvillimet në Shqipëri dhe për çdo foto paguanin 60 marka . Në ngjarjet e 1990-ës, u shfrytëzua kjo hapësirë e pagesës për çdo foto. Kështu në vitet 1990-1991 u mblodhën mbi 100 mijë dollarë dhe paratë u shfrytëzuan duke u marrë kompjuterat e parë por mbi të gjitha për krijimin e sistemit të transmetimit dhe përpunimit të materialeve informative.

Rrjeti në fillim u krijua nga francezët brenda ATSH, me kabëll koaksial (kabell normal), ky sistem vazhdoi deri në 1995, kur në bashkëpunim me TELPRESS, agjencia kryesore për krijimin e infrastrukturës së asgjencive, u realizua një mënyre e re transmetimi, e avancuar dhe në përshtatje me kërkesat e kohës. Ekrani ndahej në dy pjesë, ku përkthyesi përkthente dhe pjesa e poshtë mund të përkthehej direkt nga dy agjenci dhe jepej direkt në transmetim.

Transmetimi bëhet ose në radio (nga vitet 1991-1993) ose abonentëve (në atë kohë), dhe lidheshin përmes modemi që krijonte këtë hapësirë teknologjike komunikimi. Kishte edhe abonentë që e merrnin direkt linjën dhe transmetonin direkt. Ishin dy server kryesore, njëri në punë dhe tjetri në gatishmëri për të përballuar anomalitë që shfaqte sistemi. Lajmet merreshim me satelit nga AFP, APA, ANSA etj.

Shkëmbimi i parë i informacionit me email u bë nga ATSH-ja në 1995, ku dërgimi i informacionit u bë nëpërmjet agjencisë TEL-PRESS.

Në 1993, PNUD krijoi një sistem për të dalë në internet me linjat e PTT-së por me linja të brendshme .

Tel press bëri faqen e ATSH-së në 1995 dhe u ndryshua sërish në 1998. Faqja ishte në tre gjuhë përkatësisht në shqip, frëngjisht dhe anglisht. Faqja përmbante vetëm shkrime jo video dhe audio. Pas 1998 u futën edhe elementët e tjerë në faqe si video, foto, pra duke u rindryshuar e formatuar mbi bazën e pasurimit të gjinive të reja mediatike.

Sa i përket sistemit të informatikës, ATSH ka qënë avangardë pasi rrjeti informatik që u krijua për herë të parë në Shqipëri u krijua në ATSH që në 1992. Katër kompjuterat e parë ishin dhuratë për ATSH-në nga UNESCO. Pas 1995, u hoq nga përdorimi letra dhe u mor përsipër shërbimi i teletekstit përmes së cilit bëhej transmetimi me linja.

Ndërkohë që Shqipëria në vitet 1997-1998 po përjetonte trazira të shumta, ATSH-ja nuk ndaloi së punuari për asnjë ditë. Edhe pse kohë e vështirë, pasioni dhe korrektësia për të informuar publikun qëndronte në plan të parë edhe në kohë me tensione sociale.

Deri në 1995 vazhdoi publikimi i buletineve të lajmeve të vendit dhe të jashtme dhe për herë të parë u botua një buletin me lajme ekonomike në shqip e anglisht i cili pati shitje të mëdha, pasi pasqyrimi që i bëhej ligjeve të ndryshme, kishte interes nga bizneset e reja.

Nga 1995 filluan transmetimet në internet, ATSH-ja ishte ndër te parat që përdori internet në Shqipëri
Teknologjia e re e implementuar në këtë institucion, por edhe këndvështrimi i ri i trajtimit informacionit, që bazohej në lirinë e të shkruarit dhe heqjen e censurës, mundësoj rritjen e informacioneve e materialeve që transmetoheshin këtu. U krijuan redaksitë e lajmeve politike, ekonomike, kulturore, të sportit etj që pasqyronin çdo ngjarje dite por dhe analiza, komente për një problem të caktuar. Por me futjen e internetit edhe numri i personelit teknik erdhi duke u reduktuar. Në fillim në 150 vetë, më pas në vitin 2005 në 80 persona dhe në 2013 në 40 persona sa janë edhe aktualisht. Tanimë, përmes një faqe në rrjetin social “Facebook” apo Twiter, ATSH kalon lajme për të gjithë lexuesit, krahas faqes zyrtare  www.ata.gov.al .

Si një agjenci multi-mediale, sot ATSH organizon punën e saj mbi bazën e sektorëve politikë, ekonomike, sociale, shëndetësi, kulturë, mjedis, sporti, rajon, foto, video, bashkitë në fokus, intervista speciale, showbiz, etj.

Sektorët e përkthimit bëjnë përkthimin nga gjuha shqipe në anglisht dhe frëngjisht edhe anasjelltas. Të gjithë këta sektorë janë të ndërlidhur në mënyrë direkte me njëri-tjetrin. Materialet që përkthehen janë të fushave të ndryshme si nga politika, ashtu edhe ekonomia, turizmi, shkenca, teknologjia, arti, kultura e të tjerë. Një pjesë e materialeve janë ekskluzive, gjë që e bën faqen të ndiqet me interes në këtë drejtim. Duke qënë se institucioni sot ka një komunikim shumë të hapur e intensiv me agjencitë partnere, shkëmbimi i informacionit mundëson që ATSH të transmetojë materiale për të cilat ka siguruar të drejtat nga këto agjenci.

ATSH është pjesë e Agjencive Europiane të Lajmeve ( EANA), e asamblesë së Agjencive të Mesdheut (AMAN) , e asamblesë së agjencive të Nismës së Detit të Zi (BSANA) dhe të agjencive të lajmeve të vendeve të Ballkanit (ABNA).

Mbështetur mbi strukturën e re organizative e cila ka ardhur duke kompozuar mbi numrin e personelit në shkurtim të vazhdueshëm , është ndërtuar edhe puna e ekipit të gazetarëve, përkthyesve, fotografëve, arkivistëve e të tjerë. Faqja e ATSH-së është e hapur, çfarë ka krijuar mundësi që të rriten ndjeshëm klikimet dhe komunikimet , jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht e frëngjisht.

Agjencia Telegrafike Shqiptare sot është një referencë mediatike e patjetërsueshme jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, është një faqe ndaj së cilës shfaqin interes institucione vendase dhe të huaja, përfaqësues politikës, të diplomacisë, biznesit e të tjerë.

Në tregun e vështirë të medias, institucioni ka ditur të gjejë busullën dhe të orientohet me kujdes. Nuk ka qënë e lehtë. Nga një institucion bunker mediatik, në një media të hapur, por korrekte profesionalisht e me të vërtetën, ka arritur të përballojë suksesshëm sfidën e ndryshimit. I paragjykuar si një institucion propagande në shërbim të sistemit, gazetarëve që erdhën pas viteve 90-të, po edhe atyre që ishin e vijuan punën iu desh një angazhim i veçantë për të demonstruar e për t’u bërë zëdhënës e përfaqësues të një koncepti të ri, jo vetëm të lajmit, por të gjithçkaje që lidhej me një agjenci lajmesh. Arritën ta bëjnë këtë, ta përballojë e ta kalojë sfidën. Të ruajë balancën mediatike dhe hapësirën si për lajmet që i referohen mazhorancës po ashtu edhe opozitës.

Jo rastësisht sot drejt këtij institucioni është përqëndruar vëmendja e mjaft agjencive më emër në rajon por edhe shumë më gjerë se kaq.ATSH 20

Drejtori i tanishëm i këtij institucioni, Gëzim Podgorica, ka arritur të intensifikojë komunikimin me agjencitë partnere dhe janë realizuar vetëm në këto katër vite 15 marrëveshje bashkëpunimi që fillojnë me agjencitë rajonale si TANJUG e MIA, për të shkuar deri tek agjencitë zyrtare të Kinës, Koresë së Jugut, Turqisë , Jordanisë, Kuvajtit, Armenisë, Palestinës, e mjaft agjencive të tjera, dhe duke ridimensionuar komunikimin me agjencinë AFP , DPA e të tjerë.

Ky komunikim në rritje ka bërë të mundur që Shqipëria është sot prezente ne faqet e këtyre agjencive, por nëpërmjet tyre edhe në agjenci të tjera. Çdo javë, përmes një buletini të posaçëm, agjenci të ndryshme marrin lajme nga vendi ynë, lajme që lidhen si me deklarata e qëndrime politike të drejtuesve të lartë të shtetit, ashtu edhe me informacione që lidhen me ekonominë, turizmin, historinë, kulturën, traditat e të tjerë.

Qëllimi kryesor i ATSH-së është pasqyrimi me vërtetësi, shpejtësi dhe paanshmëri i krejt materialeve për si brenda, ashtu dhe për jashtë vendit. Fakti që prej shumë vitesh ATSH nuk ka marrë asnjë përgënjeshtrim për lajmet e transmetuara, tregon në mënyrë të qartë se, përkushtimi për të pasur prioritet tre drejtimet kryesore të cituara më lart ka qenë në nivele shumë të mira. ATSH ka pasqyruar gjithashtu në mënyrë të paanshme, mbi bazën e proporcionalitetit si aktivitetet politike të mazhorancës, ashtu dhe të opozitës.

Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare kanë punuar me qindra gazetarë, përkthyes, redaktorë, fotografë, laborantë , po edhe jurist , financier e të tjerë. Duke gërmuar në arkivin e këtij institucioni ndesh emra të njohur jo vetëm në fushën e gazetarisë, po edhe të diplomacisë, politikës e të tjerë. Emrat janë të shumtë e të spikatur, gjë që tregon se ky institucion ishte një pedanë e rëndësishme për të krijuar një performancë të lartë pozitive në fushën profesionale.

Nga ATSH, dolën figura të shquara si Skifter Konica, Bardhyl Vila, Flamur Kallçiu, Aristidh Lamani, Liljana Madhi,Harillaq Kekezi, Gëzim Nushi, Kozma Beqari,  Petrit Bushati, Fatos Beja, Ilir Boçka, Sazan Beja, Liljana Verdha, Maksim Sinemati, Sokol Olldashi, Teuta Turhani, Astrit Patozi, Mero Baze etj.

Janë të shumtë ata që kanë lënë gjurmë dhe një emër të nderuar këtu dhe në pamundësi për t’u ndalur tek të gjithë, ju dërgojmë një mesazh mirënjohjeje dhe ndjese për ata që nuk u cituan …

Ndër vite, ky institucion ka shërbyer si shkollë gazetarie për breza të tërë. Dukej sikur aq shumë të “mbërthente” puna sa vështirë të largoheshe prej aty. Një rast i tillë është ende sot prezent , ku një prej gazetarëve që ka filluar punë në 1976, do ta mbyllë karrierën e tij në ATSH. Emri i tij është Aljosha Keko. Ka filluar dhe po e mbyll këtu …!

Duke u ndalur tek ndryshimet që ndodhën pas viteve ’90-të është e domosdoshme të nënvizojmë edhe drejtuesit që erdhën më pas në këtë institucion . I pari është Ilir Zhilla , i cili qëndroi në krye të këtij institucioni deri në vitin 1997. Ai spikati me punën e tij dhe risitë që solli në funksionimin sa më efikas të këtij institucioni. Në vitin 1993, Zhilla futi për herë të parë konceptimin e abonimit të lajmeve, ç’ka më pas do të sillte edhe rritjen e të ardhurave të vetë institucionit, koncept ky i funksionit të formatit të agjencive shtetërore. Por, megjithëse koncept i panjohur dhe dyshues edhe për vetë presidentin e asaj kohe, Sali Berisha, Zhilla arriti që të realizonte këtë lloj praktike për ATSH-në. Pra lajmet shiteshin “nga shteti në shtet”.

Kështu në vitin 1996, ATSH mblodhi më shumë se 60% të të ardhurave. Për Ilir Zhillën, nësë dëshiron të bësh diçka duhet të gjesh mënyrën sesi të të pranohen nga të tjerë. Ai e konsideron eksperiencën si drejtues i ATSH-së, si një nga më të rëndësishmet në karrierën e tij. Brenda 5 viteve , në kohën e drejtimit nga Ilir Zhilla, vizituan ATSH-në , mjaft drejtorë të përgjithshëm të agjencive të huaja, duke shkëmbyer vizita me delegacione përkatëse.

Më tej, drejtimin e ATSH e morën Frrok Çupi, Edi Paloka, Artur Kopani, Antoneta Malja, Artur Zheji, Basir Çollaku dhe Gëzim Pogdorica.

Në 2013 në krye të ATSH-se, qëndron Gëzim Podgorica i cili ka bërë përpjekjet maksimale për t’i dhënë prestigjin dhe rolin e duhur në tregun e mediave. Në një kohë shumë të shkurtër janë ka realizuar 15 marrëveshje bashkëpunimi me Agjenci Zyrtare Lajmesh të vendeve të ndryshme. Po kështu, janë realizuar një sërë vizitash zyrtare të agjencive të huaja në vendin tonë , të cilat kanë bërë të mundur të identifikohen jo vetëm mundësitë e bashkëpunimit, por edhe të njihen me resurset e mëdha që ofron Shqipëria dhe zhvillimin e saj kompleks .

Aktualisht, ATSH ka një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi ku mund të përmendim AFP, DPA,BTA CNA, MIA, TANJUG, AGERPRESS, YONHAP ARMENPRESS ,PETRA,WAFA , KUNA, IRNA ej.

2017 –të është një vit tjetër ku në proces janë për t’u nënshkruar disa marrëveshje të reja, të cilat zgjerojnë më shumë gamën e komunikimit dhe bëjnë të njohur Shqipërinë në faqet e agjencive e gazetave në vende të ndryshme të botës. Ky shtim i komunikimit me agjencitë e huaja i kanë dhënë një dimension të ri punës në institucion dhe ka rritur protagonizmin në marrëdhëniet me partnerët.

ATSH në këtë periudhë ka qënë organizatore e dy samiteve të rëndësishëm, Asamblesë së Agjencive të Lajmeve të vendeve të Ballkanit në nëntor të vitit 2014-të dhe Asamblesë së Agjencive të Lajmeve të vendeve të Detit Mesdhe , në vitin 2016 . Sot ATSH ka presidencën e AMAN-it dhe ka rritur rolin e saj bashkëpunues më agjencitë e vendeve të Detit Mesdhe, por jo vetëm.

Mund të flasim për një Agjenci lajmesh zyrtare që i rezistoi sfidave të kohës dhe bëri përpjekjet maksimale për të informuar qytetarët, në kohë lufte e në kohe paqeje,  në mënyrë të drejtë e në kohë reale.

Prandaj… ATSH-ja përbën një shekull histori shqiptare, ku breza të tërë kanë mundur ta prekin !

Pergatiti Zina Tosku

/a.g/

Load More Related Articles
Load More By Zina Tosku
Load More In Artikuj te Tjere
Comments are closed.

Check Also

Zenel Hoxha vlerësohet me urdhërin Europian “Kalores i St George” në Austri

TIRANË, 24 Prill /ATSH/ -Presidenti i Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Britanike, një nga them…