For your voice to be heard Search    
  
 
   ATA Forum      Central Forum     
Home
Photo Gallery
Hot Topics
Forum
E-Polls
Useful Links
About ATA
About WEBDEP
Quick Vote

A do te ndikoje hyrja ne NATO ne avancimin e procesit integrues se Shqiperise ne BE ?



PËRKUJTOHET 63-VJETORI I KRYENGRITJES ANTIKOMUNISTE TË POSTRIBËS
Komuna e Postribës, e dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin "Nderi i Kombit" organizoi një ceremoni në përkujtim të Kryengritjes Antikomuniste të organizuar në këtë komunë 63 vjet më parë.
Në aktivitetin përkujtimor të organizuar nga komuna e Postribës ndodhej Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetë të Partisë Demokratike të qarkut të Shkodrës, përfaqësues dhe drejtues të shoqatave të ish të përndjekurve politikë, të komunave të qarkut, etj.
Pjesëmarrësit vendosën kurora me lule pranë memorialit kushtuar Kryengritjes së Parë Antikomuniste, vizituan muzeun e Postribës ku pasqyrohet kjo ngjarje, etj.
Në mitingun e organizuar, përshendeti edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha mes të tjerave se "për mua është gjithmonë një emocion i veçantë, një ngjarje e veçantë, por edhe një krenari shumë speciale përkujtimi i kësaj dite".
Duke u ndalur në përkujtimin e rrëzimit të komunizmit, fillimit të lëvizjeve antikomuniste në Hungari dhe në Çeki, Topalli tha se "Në fillim të nëntorit do të bëhet një përkujtim i madh në Gjermani për rrëzimin e murit të Berlinit, por unë them se ne shqiptarët dhe ju nga Postriba, jemi më krenarë nga të gjithë që kemi qënë të parët për të rrëzuar komunizmin".
Topalli vlerësoi faktin se "kemi qënë të parët për të kërkuar lirinë, kemi qënë të parët për të sakrifikuar dhe ka qënë sakrificë e madhe, me gjak, sakrificë me jetë, sakrificë me sulmet që i bëheshin Postribës, Shkodrës, pastaj për t'a përcjellë dhe për ta rrezatuar, për të mbajtur nën hijen e frikës dhe burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, gjithë shqiptarët".
Duke u ndalur tek të ndjerit krenar për këtë ngjarje të shënuar antikomuniste të pasardhësve të atyre që u martirizuan për idealin e lirisë dhe kundër komunizmit, Znj. Topalli tha mes të tjerave, se "nuk ka krenari më të madhe se sa të jesh pjesë e atyre familjeve që sakrifikuan, që vendosen jetën e tyre në themel të asaj që do jetë dhe ishte liria e shqiptarëve.Kryengritja e Postribës nuk ishte spontane, e pamotivuar dhe e paorganizuar. Që në fillim postribasit, dhe jo vetem ata, ishin të vetdijshëm se e ardhmja e tyre nuk ishte komunizmi. Ata e dinin se prona nuk do te ishte më e tyre, e dinin se komunistët nuk e pranonin besimin fetar, i cili u vertetua, ndaj dhe sakrifikuan jetën e tyre dhe familjeve".
Ajo theksoi se "në kryengritje nuk morën pjesë vetëm një grusht njerezish, as vetëm ata që u prekën nga komunizmi, por gjithë populli i zonës, duke shënjuar kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri, Ballkan e Europë".
Kryetarja e Kuvendit Topalli në vijim, u ndal në rimarrjen për një mandat tjetër të këtij posti. "Unë sot vij dy ditë pas konstituimit të Kuvendit të legjislaturës së re dhe do t'ju falenderoj çdo burrë, grua, vajzë të re, djalë të ri, që na kanë ndihmuar dhe mbështetur gjatë fushatës elektorale dhe që i kanë besuar projektet e Shqipërisë Europiane, Kryeministrit Berisha".
Më tej, Kryetarja e Kuvendit, Topalli duke u ndalur tek mandati i zgjedhjeve të 28 Qershorit që Partia Demokratike morri për 4 vitet e ardhshëm për të qeverisur Shqipërinë, shprehu besimin se do të jetë një 4-vjeçar i jashtëzakonshëm.
Ishte 9 shtatori i vitit 1946, që shënoi revoltën e parë antikomuniste dhe me përmasat e mëdha që mori, pasi në të u përfshinë me armë në dorë burrat e Postribës, Shkodrës, Gurit të Zi, Rrethinave, Oblikës e më gjërë, u shtri në një kryengritje të vendosur
antikomuniste, e cilësuar e para e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europën Lindore. Një pjesë e protagonistëve të kësaj ngjarje historike për Shqipërinë dhanë jetën, të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan përgjatë viteve të diktaturës komuniste.

9/10/2009