Që zëri yt te dëgjohet Kërko    
  
 
   Forumi ATSH      Forumi Qëndror     
Faqja Kryesore
Galeria e Fotove
Çështjet Kryesore
Forumi
Votime Elektronike
Adresa të Nevojshme
Rreth ATSH-së
Rreth WEB.DEP
Votim i Shpejtë

A do te ndikoje hyrja ne NATO ne avancimin e procesit integrues se Shqiperise ne BE ?



HIMARË: KËSHTJELLA E ALI PASHE TEPELENËS, DY HERË MË SHUMË VIZITORË SE VITIN E KALUAR
“Gjatë kohës që do të qëndrojmë këtu, do të vizitojmë edhe kështjellën, aty lartë në kodër. Prej këtej duket e mirëmbajtur dhe ne shpresojmë që të shohim gjëra interesante”, thotë Franko, tuiristi italian, që në një nga ditët e gushtit, mbërriti bashkë me disa miq të tij, në Porto Palermo, 75 km në jug të qytetit të Vlorës. Ai ishte një nga ata vizitorë të shumtë që i tërhoqi kështjella e Ali Pashës, e cila ndodhet në këtë pjesë të bregdetit.
Ky objekt, rreth 5 km në jug të qytetit të Himarës, është shndërruar tashmë në një objekt mjaft të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të kësaj zone. Kjo reflektohet edhe në rritjen e interesimit të vizitorëve për të.
Klearko Koçi, ciceroni i pasionuar pas këtij objekti, thotë se “numri i atyre qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, që vizitojnë këtë kështjellë, ka ardhur në rritje, veçanërisht në dy muajt e verës”. Sipas tij, vetëm në muajt korrik dhe gusht, numri i vizitorëve, arriti në rreth 3500, ose dyfishi i këtij treguesi për vitin e kaluar.
Ai thotë se "në ndryshim nga vitet e tjera, këtë sezon kështjella është vizituar më shumë nga të huajt". Turistët italianë që vijnë këtu me kampera, apo të tjerë që lëvizin përgjatë bregdetit, francezë, polakë, çekë, kthehen për të vizituar mjediset e brendshme të këtij objekti, që i përket shekullit XIX.
Për të shkuar në kështjellën, që Ali Pasha, ndërtoi për zonjën e vet, Vasiliqinë, duhet të përshkosh një shteg të ngushtë, mes një bimësie tipike mesdhetare të ulët, e përbërë krysisht nga shkurre. Në fasadën e kështjellës, spikat porta e hekurt. Dikur, në krah të saj ka qenë një pllakë me stemën e Ali Pashait, ku shkruhej “Unë, Pashai i Madh, Aliu, e ndërtova këtë kështjellë”.
Hyrja është ndërtuar në mënyrë të tillë që, në rast se turqit depërtonin, ata të asgjësoheshin nga pushkatarët që, qëndronin në disa vende të posacme, përgjatë një tuneli të brendshëm. Sapo kalon këtë tunel gjendesh në një mjedis në formë labirinthi.
Në hapësirën e brendshme, spikasin oda e madhe, dhoma e gjumit e Pashait të Janinës, dhoma e fjetjes dhe ajo e ndenjies e Vasiliqisë. Prej këtu del në një mjedis të hapur mbi det, që mbrohet prej dy kullash të fortifikuara.
Forma e dhomave, kolonave mbajtëse me harqe dhe disa kthina të tjera, ku përfshihej edhe ajo e mbajtjes së bagëtive dhe kafshëve të tjera, janë elementët që spikasin menjëherë. Në mure, dallon mbishkrime, që përkojnë me periudhën e komunizmit, kur kështjella, ka shërbyer fillimisht si një vend internimi, deri në vitin 1957 dhe, më pas, si një depo ushtarake. Diku, në krahun e majtë, ndodhet oda, ku, gjendej pusi, forma e të cilit spikat ende, me disa gurë të thyer. Në krah të kësaj ode, ndodhet edhe hyrja për në një nga tunelet e nëndheshme, që gjendeshin rëndom në çdo objekt të tillë.
Përmes një palë shkallësh të gurta e të gjera, ngjitesh lart në bedena. Pamja që të ofrohet është e mrekullueshme. Prej aty dallohet vendi i quajtur “Gjiri i nuseve”, ku sipas gojëdhanës, lahej Vasiliqija. Qetësia që mbretëron tashmë këtu, e bën edhe më të prekshme historinë e, pothuajse, dy shekujve më parë.
Në teknikën e vecantë, që është përdorur për ndërtimin e kësaj kalaje, është parashikuar edhe mbledhja e ujit të shiut, përmes një sistemi të ndërlikuar ulluqesh, që vinin nga pjesa e sipërme, bedenat dhe zbrisnin deri në depon e mbrojtur mirë, e ndërtuar në një nga të ndarat e këtij objekti. Dikur, në vitit 1916-1918, këtu kanë qëndruar robërit austriakë, që ndërtuan rrugën e Bregdetit nga Vlora në Sarandë, të ruajtur nga një repart ushtarësh italianë. Me këtë moment, lidhet edhe emërtimi i këtij vendi, që italianëve u kujtonte Palermon e jugut të vendit fqinj. Në vitet e mbretërisë, u përdor si burg për kundërshtarët politikë, gjatë Luftës së Dytë Botërore u shfrytëzua si objekt ushtarak. Kjo histori ka lënë edhe gjurmët e veta në brendësi të objektit. Një pjesë e dyshemesë është rindërtuar me pllaka, ndërkohë që, në mjedisin ku gatuhej, janë bërë modifikime.
Gjithësesi, kështjella e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, është e mirëruajtur dhe përfaqëson një objekt mjaft interesant, për vlerat historike dhe arkitektonike që mbart.
Një nga funksionet e kështjellës, ishte që ajo të mbronte tre pikat strategjike të kësaj pjese të bregdetit: gjirin e Amaridhës, në krahun e majtë; gjirin e Palermos dhe gjirin e Shën Kollit të Vjetër, në krahun e djathtë. Janë këto tre elementë gjeografikë, që spikasin qartë nga lartësia e kësaj kështjelle, në këtë mjedis bregdetar.
Tre vjet më parë, këtu u zbatua një projekt përmes të cilit, u mundësua rehabilitimi i mjediseve të brendshme dhe të jashtme të kështjellës, duke e bërë atë të përshtatshme për vizitorët. Po ashtu, një vit më parë u përmirësuan mjediset e brendshme. Objekti i administruar nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, është edhe një burim të ardhurash, për shkak se hyrja është me pagesë. Vizitorët i tërheq, historia e këtij vendi, e personazheve të njohura, që kanë jetuar këtu, në këtë kështjellë, për të cilën është shkruar edhe nga Aleksandër Dyma.
“Më pëlqeu, është një kështjellë mjaft e veçantë”, thotë Aleksandro, një 45 vjeçar nga Bari, ndërkohë që, Barbara, një bashkëatdhetare e tij nga Roma, shprehet se, i kishte bërë përshtypje forma trekëndore e kështjellës. “Nuk kisha ndeshur deri tani një kështjellë me një formë të tillë, trekëndore dhe kjo e bën atë të veçantë”, nënvizon ajo. Ndërkohë, një grup prej 5 polakësh që janë me ne në këtë vizitë, shprehen se “kështjella i tërhoqi pa masë”.
Me grupin tonë, bashkohet edhe një çift bashkëshortësh dhe vajza e tyre e vogël, emigrantë në Itali. Klearko, që ka mësuar terminologjinë e shpjegimit të kështjellës në disa gjuhë, komunikon normalisht. Teksa lëvizim në mjediset e brendshme, ku drita e diellit depërton fare pak, udhëhiqemi nga ciceroni i cili ndriçon mjedisin me një elektrik dore.
Klearko thotë se, mjedisi këtu mund të përmirësohet. Ai ka hartuar një projekt, që parashikon ndërtimin e një shtetitoreje të gurtë, përgjatë mjedisit ishullor, që mund të krijojë kushtet për të parë muret e jashtme të kështjellës. Shëtitorja, e plotësuar me ndriçim dhe me elementë të tjerë tipikë, sipas arkitekturës së shekullit XIX, mund të krijojë një mjedis mjaft funksional i cili do të tërheqë edhe më shumë turisë.

9/2/2009