Ndarja e re administrative-territoriale, Çuçi nis konsultimet

 

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bled Çuçi

Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bled Çuçi

  TIRANË, 7 Janar /ATSH/-Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bled Çuçi zhvilloi një takim me përfaqësues të donatorëve dhe shoqërisë civile që veprojnë në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore në Shqipëri, për të konsultuar dhe diskutuar me ta kriteret e propozuara për ndarjen e re administrativo- territoriale të Shqipërisë, kritere të cilat janë hartuar nga grupi i punës dhe me ndihmën e ekspertëve të huaj dhe vendas.Pjesëmarrësve iu prezantuan të gjitha hapat që janë ndërmarrë deri tani për kryerjen e kësaj reforme të rëndësishme por dhe aq të domosdoshme, kriteret që do të shoqërojnë reformën dhe detaje rreth tyre si dhe procesin në vijim lidhur me konsultimet me përfaqësues të shoqërisë civile, donatorëve dhe grupeve të interesit, përfshi këtu shoqatat e të zgjedhurve vendorë dhe komunitetin.Fryma e bashkëpunimit dhe transparenca e treguar gjatë këtij procesi u përgëzua nga të gjithë të pranishmit. Aktiviteti i ofroi mundësinë pjesëmarrësve që të shprehnin sugjerimet dhe rekomandimet e tyre lidhur me procesin në tërësi dhe kriteret në veçanti, si dhe për të treguar mbështetjen e tyre për realizimin në kohë të kësaj reforme të rëndësishme dhe gjithëpërfshirëse. Sugjerimet dhe rekomandimet e dala nga ky takim do të mbahen parasysh në momentet e miratimit të kritereve nga Kuvendi.Ky aktivitet konsultativ është i pari në radhën e një seri aktivitetesh që do të shtrihen në të gjithë vendin, ndërkaq konsultimet me shoqërinë civile dhe donatorët do të shoqërojnë gjithë procesin e reformës. Projekti STAR (projekt asistence për reformën administrativo-territoriale me kontributin e SIDA, USAID dhe UNDP) mbështeti financiarisht realizimin e aktivitetit. /a.g/