Krijohet Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Qeveria miraton mënyrën e funksionimit

Zonë pyjore në Kukës. Foto Riza Hoxha ATSH

Zonë pyjore në Kukës. Foto Riza Hoxha ATSH

TIRANË, 30 Janar/ATSH-Eriola Çuko/ – Qeveria, në mbledhjen e radhës, miratoi krijimin dhe mënyrën e organizimit  dhe të funksionimit të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe ujërave. Vendimi përcakton se ky inspektoriat ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe ujërave, ndërkohë që është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën përkatëse në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, ujërat dhe pyjet.
ISHMPU, sipas vendimit, organizohet në dy nivele, në atë qendror dhe rajonal, ku këto të fundit janë për çdo rajon të vendit. ISHMPU-ja drejtohet nga kryeinspektori, për të cilin vendimi përcakton dhe kompetencat.
Pranë ISHMPU në nivel qendror krijohet “Komisioni i ankimit të ISHMPU-së”, i cili drejtohet nga kryeinspektori dhe që ushtron funksionet në përputhje me afatet dhe procedurat e ankimeve të parashikuara në ligj. Vendimi përcakton që degët rajonale të ISHMPU-së ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në qarkun përkatës. Me urdhër të kryeinspektorit, inspektorët e një dege rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një qarku tjetër, në bashkëpunim me degën rajonale përkatëse.
Degët rajonale, që kanë në territorin e tyre pika të kalimit të kufirit, bashkëpunojnë me organet doganore dhe organet e tjera përkatëse për parandalimin e dëmtimit të cilësisë së mjedisit apo të përbërësve të tij të veçantë.
Ndërkohë, sipas vendimit, ministri i Mjedisit brenda një muaji nga hyrja në fuqi e tij, duhet të propozojë te Kryeministri emërimin e kryeinspektorit të ISHMPU-së, si dhe strukturën e Inspektoriatit. Vendimi përcakton që nëpunësit, që kryejnë funksionet e inspektimit, që janë aktualisht të emëruar pranë Ministrisë së Mjedisit, përfshirë institucionet e saj të varësisë apo drejtoritë e saj rajonale dhe që plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, transferohen në detyra të reja pranë ISHMPU-së, brenda numrit dhe pozicioneve të organikës së miratuar sipas urdhrit përkatës të Kryeministrit.
Nëpunësit ekzistues, që nuk mund të transferohen në ISHMPU, mbeten në institucionet përkatëse, të cilat riorganizohen brenda një periudhe 2-mujore nga hyrja në fuqi e këtij vendimi./s.s./