10/12/2008 10:55:52 AM
EKON-BSH-KURSI

EKON: GJATË VITIT 2008, LEKU ËSHTË MBIÇMUAR NDAJ EUROS DHE DOLLARIT
 
     TIRANE, 12 Tetor /ATSH-E.Xhajanka/- Tendenca mbiçmuese e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore, (Valutë), e vërejtur gjatë dy tremujorve të parë të vitit 2008, ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të tretë, por me ritme më të moderuara, bëhet e ditur në raportin e fundit  mbi zhvillimet ekonomike dhe sociale në vend të Bankës së Shqipërisë.
     Sipas BSH-së, në terma nominalë efektivë vjetorë, gjatë këtij tremujori leku është mbiçmuar kundrejt monedhave kryesore të huaja, EURO dhe USD, mesatarisht me 2.63 p.p- relativisht më lartë se 1.58 % një vit më parë në të njëjtën periudhë. 
     Në terma vjetor, kursi nominal i këmbimit të lekut kundrejt monedhës evropiane dhe dollarit amerikan është mbiçmuar mesatarisht në masën 0.75 % dhe 9 %, respektivisht. 
     Ecuria e kursit të këmbimit, vëren Banka Qendrore, është ndikuar nga sjellja e monedhave kryesore Euro/USD në tregun ndërkombëtar si dhe nga sjellja sezonale në periudhën e verës. /k.sh/